BE-ja kërkon respektimin e plotë të mandatit aktual të Dhomave të Specializuara

Bashkimi Evropian ka reaguar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se kjo ndërhyrje bie në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Të lidhura

None found

Përmes një deklarate me shkrim, Brukseli i ka kërkuar Kosovës të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe të ruajë pavarësinë e Dhomave të Specializuara. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka nënvizuar nevojën për garantimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Një tjetër kërkesë e përsëritur nga Bashkimi Evropian lidhet me sigurimin e mbrojtjes dhe sigurisë së dëshmitarëve.

Ky reagim u bë publik një ditë pasi BE-ja kishte shprehur shqetësim të thellë për votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka sqaruar se Brukseli nuk kishte komentuar më herët, kur ndryshimi i ligjit ishte vetëm një mundësi e paralajmëruar apo pasi ai ishte miratuar në lexim të parë.

“Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë. Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova”, ka deklaruar Wigand.

BE-ja ka rikujtuar se ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Dhomat e Specializuara të Kosovës si një institucion të pavarur gjyqësor. Në këtë kuadër, ajo ka kërkuar që mandati aktual dhe pavarësia e këtij institucioni të respektohen tërësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në deklaratën e Brukselit.

Bashkimi Evropian ka theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e veprimtarisë së Dhomave të Specializuara dhe domosdoshmërinë e respektimit të mandatit të tyre.


Shtuar më 8.10.2026 16:28