Gjetja e mbetjeve mortore në disa pika të Zubin Potokut, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë, mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në hetimin e krimeve të mbetura pa përgjigje nga periudha 1998-1999.
Të lidhura
None found
Pas evidentimit të mbetjeve, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë nisur ekzaminimet mjeko-ligjore dhe analizat e ADN-së. Synimi është identifikimi i viktimave dhe përcaktimi i rrethanave të vdekjes së tyre, një proces që mund t’u japë përgjigje familjeve të personave të zhdukur, të cilat prej dekadash presin të mësojnë të vërtetën për të afërmit e tyre.
Zbulimet e fundit kanë rikthyer vëmendjen te çështja e varrezave masive dhe te domosdoshmëria e një angazhimi më të madh institucional për gjetjen e lokacioneve të dyshuara dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Për rëndësinë e këtij zhvillimi foli për “Bota sot” eksperti austriak Gunther Fehlinger.
Fehlinger e konsideron zbulimin e mbetjeve njerëzore në disa lokacione të Zubin Potokut një ngjarje me peshë të veçantë për Kosovën, familjet e të zhdukurve dhe përpjekjet për të hetuar krimet e luftës që ende nuk janë zbardhur.

Sipas tij, puna duhet të kryhet me standarde të larta profesionale, duke respektuar ligjin dhe rregullat e mjekësisë ligjore. Vetëm në këtë mënyrë mund të përcaktohen saktë identitetet e viktimave dhe përgjegjësitë e mundshme mbi bazën e provave të verifikueshme.
“Gjetja e mbetjeve njerëzore në lokacione të ndryshme të Zubin Potokut përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, familjet e personave të zhdukur dhe hetimin e krimeve të pazbardhura të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Gjetjet duhet të trajtohen me dinjitet, profesionalizëm forenzik dhe kujdes të plotë ligjor. Përmes analizave të ADN-së duhet të përcaktohet identiteti i secilës viktimë, ndërsa prokurorët duhet të hetojnë kohën, rrethanat dhe përgjegjësinë për çdo vdekje. Përpara përfundimit të këtyre procedurave, nuk duhet që viktimat apo autorët e mundshëm të paraqiten si fakte të konfirmuara”, deklaroi ai.
Eksperti austriak nënvizon se, edhe 27 vite pas përfundimit të luftës, dëshmi të reja, puna e institucioneve dhe hetimet forenzike mund të çojnë në zbulimin e varrezave të panjohura.
Çdo lokacion i identifikuar, sipas tij, mund t’u sjellë familjeve përgjigje të shumëpritura, por mund të përmbajë gjithashtu prova që lidhen me rrëmbime, ekzekutime, fshehje trupash dhe përpjekje për pengimin e drejtësisë.
“Suksesi i hetimit nuk duhet të matet vetëm nga numri i mbetjeve që gjenden. Duhet parë edhe mënyra e ruajtjes së vendngjarjeve, identifikimi i viktimave përmes ADN-së, garantimi i zinxhirit të provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe përcaktimi i personave që kanë urdhëruar, kryer ose fshehur këto krime”, u shpreh Fehlinger.
Ai thekson se zhvillimet në Zubin Potok e bëjnë edhe më të rëndësishme Deklaratën për Personat e Zhdukur, të miratuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2023. Dokumenti parashikon bashkëpunim për gjetjen e personave të zhdukur dhe shkëmbimin e informacioneve përkatëse.
“Bashkimi Evropian duhet të kërkojë zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje. Serbia duhet të lejojë qasje të pakufizuar në arkivat ushtarake, policore, të shërbimeve të sigurisë, komunale dhe shtetërore që i përkasin periudhës së luftës. Duhet të bëhen të disponueshme dokumentet operative, të dhënat mbi transportet, informacionet për varrosjet dhe çdo material që lidhet me varrezat primare, sekondare ose të fshehura.
Çështja e personave të zhdukur nuk mund të trajtohet vetëm si një element simbolik i dialogut të Brukselit”, tha Fehlinger.
Sipas tij, BE-ja duhet ta lidhë bashkëpunimin konkret të Serbisë për personat e zhdukur dhe provat e krimeve të luftës me rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe me përfitimet politike e financiare që burojnë nga ky proces.
Duke vlerësuar ndikimin e zbulimeve në proceset gjyqësore për krime lufte, Fehlinger tha se provat forenzike mund të forcojnë çështjet penale. Ato mund të ndihmojnë në identifikimin e viktimave, përcaktimin e numrit të tyre, evidentimin e modeleve të krimeve dhe krijimin e lidhjeve mes lokacioneve të ndryshme.
“Në çdo gjykim duhet të ndërtohet lidhja individuale e provave mes veprës penale dhe të akuzuarit. Vonesat në identifikimin përmes ADN-së mund të zvarrisin hetimet dhe proceset gjyqësore, ndërsa një identifikim i suksesshëm mund të konsolidojë rastet, të korrigjojë të dhënat historike dhe t’u japë familjeve të vërtetën që e kanë kërkuar për shumë vite”, deklaroi eksperti.
Në përfundim, ai kërkoi që çështja e personave të zhdukur të mos shndërrohet në mjet për përplasje politike apo tensione ndëretnike. Fehlinger theksoi se çdo viktimë, pavarësisht përkatësisë, meriton identifikim, dinjitet dhe drejtësi.
“Familjet e të zhdukurve kanë pritur për një kohë tepër të gjatë. Institucionet e Kosovës dhe të Serbisë, Bashkimi Evropian, EULEX-i, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe të gjitha strukturat përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë deri në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur.
Nuk mund të ketë normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë pa u zbardhur e vërteta për personat e zhdukur, pa përgjegjësi për krimet e luftës dhe pa u identifikuar plotësisht lokacionet ku janë varrosur viktimat”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.
