Kurti pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës Presidente: Institucionet janë funksionale, tani duhet përqendrim te puna

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar intensifikimin e punës pas përfundimit të procesit të krijimit dhe vënies në funksion të institucioneve të vendit.

Në reagimin e tij, ai ka renditur konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës.

Të lidhura

None found

Kurti ka bërë të ditur se Shiroka-Pula u zgjodh Presidente mbrëmjen e kaluar dhe se gjatë ditës së sotme mori zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, Albulena Haxhiu.

“Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes”, ka shkruar Kurti.

Sipas kreut të Qeverisë, tashmë janë krijuar kushtet që institucionet të veprojnë pa pengesa, ndaj prioritet duhet të jetë realizimi i punës dhe përmbushja e angazhimeve të marra.

“Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës”, ka deklaruar ai.

Kurti e ka mbyllur reagimin duke uruar sërish për përfundimin e procesit të funksionalizimit të institucioneve.


Shtuar më 7.10.2026 18:03