Riho Terras, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, ka theksuar se shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Në një mesazh të publikuar në platformën X, ai ka nënvizuar se momenti i tanishëm i stabilitetit institucional duhet të kthehet në shtysë për reforma konkrete dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomike.
“Mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësimin në BE është tejet e lartë. Tani që kemi stabilitet institucional, ai duhet të shndërrohet në reforma dhe zhvillim ekonomik,” ka shkruar ai.
Terras ka shtuar se, në rolin e tij si raportues i Parlamentit Evropian, ka në plan të thellojë angazhimin me autoritetet kosovare për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit.
“Në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, do të forcoj bashkëpunimin me institucionet e saj për të çuar përpara rrugën e Kosovës drejt Evropës,” ka potencuar ai.
Këto komente vijnë në një periudhë kur integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një ndër prioritetet kryesore të agjendës së jashtme dhe të veprimtarisë institucionale të Kosovës.






