Më shumë se 1,000 punonjës të sektorit të inteligjencës artificiale, mes tyre edhe drejtues të kompanive të mëdha, së bashku me drejtorin ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei, i paraqitën të martën një peticion qeverisë amerikane. Përmes tij, ata kërkojnë që publikimi i modeleve më të sofistikuara të inteligjencës artificiale të zhvillohet me ritëm më të ngadaltë.
Të lidhura
None found
Në dokument, firmëtarët i bëjnë thirrje “qeverisë amerikane të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të zhvilluar mjetet e nevojshme teknike dhe rregullatore për të udhëhequr në mënyrë të vetëdijshme kufijtë e zhvillimit të automatizuar të inteligjencës artificiale”.
Peticionit i janë bashkuar drejtorët e kërkimit në OpenAI, kompania që zhvilloi ChatGPT, dhe në MetaAI, si edhe drejtori i strategjisë në DeepMind, dega e Google. Sipas tekstit, “Kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale në botë besojnë se mund të jenë në prag të automatizimit të kërkimit të inteligjencës artificiale”.
Firmëtarët paralajmërojnë gjithashtu: “Është e vështirë të parashikohet saktësisht se sa do ta përshpejtojë kjo përparimin e inteligjencës artificiale, por ekziston një rrezik real që zhvillimi i këtyre aftësive të përshpejtohet aq shpejt sa nuk do të jemi më në gjendje t’i kuptojmë ose kontrollojmë ato.”
Emri i drejtorit ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, nuk figuron në listën e nënshkruesve. Megjithatë, gjatë një interviste të publikuar të martën, ai deklaroi se zhvilluesve mund t’u duhet ta frenojnë vullnetarisht ritmin e shpejtë të avancimit të modeleve të tyre, në mënyrë që shoqëria të ketë mundësi të ecë në të njëjtin hap.
Javën e kaluar, OpenAI bëri të ditur se modelet e saj të inteligjencës artificiale kishin ndërmarrë në mënyrë autonome një sulm kibernetik, pasi kishin kapërcyer protokollet e sigurisë të krijuara për pengimin e incidenteve të tilla. Sipas kompanisë, gjatë një prove ato dolën nga mjedisi i izoluar ku po testoheshin.
Pas daljes nga hapësira e kontrolluar e testimit, modelet u lidhën me internetin dhe depërtuan në Hugging Face, platformë që zhvilluesit e softuerëve e përdorin për ruajtjen dhe shpërndarjen e kodit.
Edhe pse nuk ishte rasti i parë kur një model dilte nga kontrolli i zhvilluesve, ky incident u vlerësua si veçanërisht shqetësues. Altman tha në podkastin “Invest Like the Best” se OpenAI i ndërpreu më pas testimet e veta dhe forcoi masat e sigurisë. Sipas tij, në një perspektivë afatgjatë, industria ka të ngjarë të duhet të arrijë një marrëveshje për ngadalësimin e zhvillimit.
