Edhe pse në Europë dhe në Shqipëri numri i djemve të lindur është më i lartë se ai i vajzave, raporti gjinor ndryshon me kalimin e viteve. Gratë përbëjnë shumicën e popullsisë, kryesisht për shkak se kanë jetëgjatësi më të madhe se burrat.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, Shqipëria renditet ndër vendet europiane me diferencën më të vogël mes grave dhe burrave. Në vend ka 102.2 gra për çdo 100 burra, një nivel thuajse i njëjtë me atë të Irlandës dhe më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila është 104.2 gra për 100 burra.
Të lidhura
None found
Në rajon, raport më të ulët se Shqipëria ka vetëm Maqedonia e Veriut, ku për çdo 100 burra numërohen 101.9 gra.
Situata paraqitet ndryshe në pjesën tjetër të Europës. Letonia ka numrin më të lartë të grave në raport me burrat, me 115.6 gra për çdo 100 burra, ndërsa pas saj renditen Estonia dhe Lituania. Eurostat e lidh këtë prirje kryesisht me jetëgjatësinë më të madhe të grave, të cilat jetojnë më gjatë se burrat në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian.
Raporti më i ngushtë gjinor në Shqipëri lidhet me përbërjen e popullsisë dhe zhvillimet demografike. Në përgjithësi, në Europë gratë janë më të shumta, ndërsa shtetet ku burrat janë në avantazh janë të pakta. Nga 41 vendet e përfshira në raportin e Eurostat, vetëm gjashtë kanë më shumë burra se gra.
Malta shënon diferencën më të madhe në favor të burrave, me 88.3 gra për çdo 100 burra. Ndërkohë, në Islandë, Norvegji dhe Suedi, raporti mes dy gjinive është pothuajse i barabartë.
