Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka bërë të ditur se në Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit kanë nisur sërish ndërhyrjet në rrugën e transitit ndërkombëtar Deçan-Plavë. Komuna e Deçanit, ndërkaq, deklaroi se aktivitetet kishin të bënin vetëm me mirëmbajtjen e rrugës.
Të lidhura
None found
Sipas Dioqezës, as ajo dhe as Manastiri i Deçanit nuk kishin marrë njoftim paraprak për zhvillimin e këtyre punimeve. Po ashtu, atyre nuk u ishte paraqitur dokumentacioni i projektit dhe nuk u ishte dhënë asnjë sqarim për qëllimin, përmasat apo bazën ligjore të ndërhyrjeve.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sqaroi se përgjatë dy ditëve ishte realizuar mirëmbajtja e segmentit në fjalë. Sipas tij, puna përfshiu mbushjen e gropave, pastrimin e barit dhe shkurreve, si dhe largimin e pluhurit të mbledhur përgjatë rrugës.
Ramosaj bëri të ditur se aktiviteti tashmë ka përfunduar. Ai tha gjithashtu se komuna kishte ndërmarrë punime të tilla edhe më parë, në bazë të marrëveshjes me igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.
“U kërkoj të gjithëve mirëkuptim dhe që nevoja për mirëmbajtjen e kësaj pjese të rrugës të shihet në mënyrën e duhur, duke u përmbajtur nga vlerësimet dhe kualifikimet që nuk e pasqyrojnë gjendjen reale”, deklaroi Ramosaj.
Më 29 korrik, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë njoftoi se Këshilli për Zbatim dhe Monitorim nuk kishte marrë informacion për rinisjen e punimeve pranë Manastirit të Deçanit. Në përbërjen e këtij këshilli janë dy ministra të Qeverisë së Kosovës dhe mitropoliti serb, Teodosije, ndërsa në veprimtarinë e tij përfshihen edhe drejtuesit e misioneve në Kosovë të Bashkimit Evropian dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit shprehu shpresën që Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse të sqarojnë menjëherë “se kush i ka urdhëruar dhe miratuar punimet, do të verifikojnë bazën e tyre ligjore dhe do të ndërmarrin të gjitha masat që janë në kompetencën e tyre për të siguruar respektimin e ligjit, rendit juridik dhe regjimit të Zonës së Veçantë të Mbrojtur, si dhe për të ndërprerë punimet e nisura”.
Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura u miratua në Kosovë më 2008, duke u mbështetur në Planin e Ahtisaarit. Synimi i tij është mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe e pronës së saj.
Përmes këtij ligji sigurohet mbrojtja e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ai përfshin gjithashtu vende të tjera me vlerë kulturore e historike, të cilat kanë rëndësi të posaçme për komunitetin serb.
Për shkak se kalon nëpër Zonën e Mbrojtur, ndërtimi i magjistrales Deçan-Plavë është pezulluar disa herë deri tani. Megjithatë, përmes Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, në vitin 2020 u arrit pajtimi që rreth Manastirit të Deçanit të ndërtohej një trase anashkaluese. Ky mekanizëm përbëhet nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Kishës Ortodokse Serbe dhe komunitetit ndërkombëtar.
Avdullah Hoti, në atë kohë kryeministër i Kosovës, kishte thënë se marrëveshja erdhi pas diskutimeve konstruktive që kishin zgjatur disa muaj.
Për rastin reagoi edhe Lista Serbe, forca kryesore politike e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi. Sipas saj, çdo veprim i kryer jashtë ligjit dhe procedurave të përcaktuara për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore e kulturore përbën “cenim të drejtpërdrejtë të rendit juridik dhe rrezikon më shumë sigurinë dhe mbijetesën e trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që janë garantues të zbatimit të mekanizmave ligjorë ekzistues, të reagojnë urgjentisht, të ndërpresin të gjitha aktivitetet që nuk janë në përputhje me regjimin e Zonës së Veçantë të Mbrojtur dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të ligjit”, thuhej në reagimin e Listës Serbe.
Thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve iu drejtua përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë edhe nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
Kjo zyrë i cilësoi aktivitetet si pjesë të dukshme të “një politike më të gjerë të presionit sistematik ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe besimtarëve të saj”. Ajo pretendoi se pikërisht për këtë arsye punimet po kryhen pa dijeninë dhe pa miratimin e Dioqezës Rashkë-Prizren dhe Manastirit të Deçanit.
Në deklaratën e saj u tha gjithashtu se, kur bëhet fjalë për pronën dhe të drejtat e garantuara të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, nuk po zbatohen as rregulloret e miratuara në Prishtinë.
Manastiri mesjetar i Deçanit në Kosovë u vizitua së fundmi nga pastori Mark Burns, këshilltar joformal i presidentit amerikan, Donald Trump, për çështjet shpirtërore. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se Departamentit amerikan të Shtetit do t’ia përcillte vërejtjet e tij për gjendjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe liritë fetare.
Më vonë, Burns shkroi në platformën sociale X se Departamenti amerikan i Shtetit kishte filluar bisedime diplomatike me Serbinë “për ta mbajtur Kosovën përgjegjëse për trajtimin e keq të të krishterëve, përfshirë edhe besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe”.
Çështja e lirive fetare është përfshirë edhe në Marrëveshjen për Normalizimin Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të njohur si Marrëveshja e Uashingtonit. Dokumenti u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.
Ndër të tjera, dokumenti përcakton angazhimin e të dyja palëve për respektimin e lirive fetare. Kjo përfshin rifillimin e dialogut ndërfetar, ruajtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i ofrojnë mbrojtje Kishës Ortodokse Serbe.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në vitin 2023 edhe për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë aneks përmendet formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe dhe thuhet se “Kosova duhet të sigurojë një nivel shtesë të mbrojtjes për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Edhe pse Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve nuk është firmosur, Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se dokumenti ka fuqi juridikisht detyruese për të dyja palët.
