Pas tragjedisë në aksin rrugor Shkup-Bllacë ku humbën jetën tre qytetarë të Kosovës, avokati i njohur nga Prishtina, Arianit Koci, ka ndërmarrë një apel publik për grumbullimin e informacioneve, raporton INA.
Të lidhura
None found
Në një komunikatë drejtuar opinionit, ai ka shtruar një sërë pyetjesh kyçe lidhur me rrethanat e ngjarjes:
Koci, i cili përfaqëson familjet e të ndjerëve, fton këdo që disponon të dhëna mbi aksidentin fatal në pjesën e autostradës Shkup-Bllacë, ku jetën e humbën Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, ta kontaktojë me shkrim.
Pyetjet kryesore që ngre avokati përfshijnë identifikimin e subjektit që ndërtoi këtë segment rrugor, kush e mbikëqyri punën dhe cili ishte përgjegjës për masat e sigurisë në atë zonë.
Ai thekson se segmenti në fjalë ishte zyrtarisht i mbyllur për trafikun, por në çastin e aksidentit, porta hyrëse nga e cila depërtoi automjeti nuk ishte e bllokuar fizikisht.
Ndërkaq, rreth 300 metra më tutje, një hyrje tjetër në të njëjtin segment ishte e mbyllur me barriera fizike, çka shton paqartësitë mbi sigurimin e zonës.
Në këtë kontekst, avokati kërkon sqarim pse dy hyrjet e të njëjtit aks nuk ishin të siguruara njësoj, si dhe nëse hyrja e përdorur nga viktimat kishte qenë e bllokuar fizikisht në ditët ose javët para tragjedisë.
Po ashtu, ai kërkon të dihet se kush e realizoi mbylljen fizike të asaj hyrjeje menjëherë pas aksidentit, në çfarë momenti dhe me urdhër të cilit institucion, nëse një gjë e tillë ka ndodhur.
Në thirrjen e tij, avokati Koci u bën thirrje qytetarëve që të dërgojnë fotografi, video-incizime, dokumente apo çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e rastit, duke theksuar se të gjitha materialet me vlerë do t’i përcillen Prokurorisë së Maqedonisë së Veriut për t’u shqyrtuar në kuadër të hetimeve zyrtare.
Aksidenti i rëndë ndodhi më 19 korrik të këtij viti, duke u marrë jetën tre shtetasve të Kosovës në magjistralen Shkup-Bllacë./INA/
