Gjurmët e stuhisë së fuqishme që përfshiu kryeqytetin javën e kaluar vijojnë të jenë të dukshme në shumë zona të Shkupit. Degë të thyera, trungje të rrëzuara, gjethe dhe mbeturina të tjera ende hasen nëpër rrugë dhe trotuare, duke penguar qarkullimin normal të qytetarëve.
Të lidhura
None found
Banorët shprehin pakënaqësi të thellë për mungesën e veprimeve konkrete, edhe pse ka kaluar një javë e plotë nga ngjarja. Sipas tyre, pastrimi i hapësirave publike nuk po kryhet siç duhet dhe materialet drusore vazhdojnë të bllokojnë kalimet.
“Nuk po punohet fare, të gjithë drunjtë kanë mbetur në rrugë, asgjë nuk po bëhet”, u shpreh një banor i zemëruar. Një tjetër shtoi: “Kjo është një katastrofë e vërtetë, nuk mund t’i hapim as dritaret, as të flemë rehat. I bëj thirrje kryetarit që t’i heqë sa më shpejt këto pengesa”.
Ndërkohë, një qytetar tjetër theksoi shqetësimin për pasojat më të gjera të situatës: “Mbeturinat janë problem kudo në Maqedoni, dhe tani këto degë që shohim nga era e fortë duhen pastruar e trajtuar. Nëse lihen kështu, krijohet një problem ekologjik. Nuk e di nëse Higjiena komunale e ka parasysh këtë çështje”.
Qytetarët u drejtohen autoriteteve përgjegjëse me kërkesën që të përshpejtojnë operacionet e pastrimit dhe heqjen e degëve që ndodhen në çdo cep të rrugëve, në mënyrë që jeta të kthehet në normalitet. Nga ana tjetër, zyrtarët komunalë njoftojnë se pjesa më e madhe e dëmeve të shkaktuara nga stuhia e së martës së kaluar tashmë është riparuar, ndërsa në disa zona të veçanta puna për pastrim vazhdon ende.
