Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar një takim zyrtar në Vjenë me homologun austriak, Norbert Totschnig, ministër federal për Bujqësi, Pylltari, Klimë dhe Menaxhim të Ujërave. Gjatë bisedimeve, theksi u vu mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e reformave në sektorin bujqësor.
Të lidhura
None found
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe domosdoshmëria që politikat bujqësore të përshtaten plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian.
Në takim u shkëmbyen gjithashtu përvoja mbi forcimin e sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimit, ndërtimin e mekanizmave për sinjalizim të hershëm dhe mbrojtje nga breshëri, procesin e digjitalizimit në bujqësi, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis instituteve bujqësore dhe qendrave kërkimore të të dy vendeve.
Duke vlerësuar mbështetjen e vijueshme austriake, Muja shprehu bindjen se ky partneritet do të kontribuojë në modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e afrimit me standardet e BE-së. Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional përmes shkëmbimit të ekspertëve, nëpunësve, studiuesve dhe studentëve, me synim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe transferimin e njohurive.
