Njëmbëdhjetë banesa të ngritura pa leje në tokën e menaxhuar nga kompania “Ibër-Lepenci” u shembën ditët e fundit përgjatë bregut të Liqenit të Ujmanit.
Të lidhura
None found
Për pasojë, përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dalë me një qëndrim ku shprehet e zhgënjyer nga ndërhyrja dhe e shqetësuar se procedurat formale ligjore nuk janë ndjekur siç duhet.
BE-ja ka bërë thirrje për pezullimin pa vonesë të prishjeve dhe çdo ndërmarrjeje të ngjashme, derisa të zgjidhen pikëpyetjet rreth pronësisë, shtetit ligjor dhe çështjeve gjyqësore ende të hapura.
Sipas njoftimit zyrtar të BE-së, kërkohet ndërprerja e menjëhershme e shembjeve, spastrimeve me forcë apo konfiskimeve të radhës, për aq kohë sa shqetësimet për procesin e rregullt ligjor, masën proporcionale, të drejtat pronësore, të drejtat themelore të njeriut dhe rekurset efektive ligjore nuk marrin trajtimin e duhur.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i partisë Guxo, Agim Rexhepi, në një intervistë për “Bota sot”, e konsideron të palejueshme zhvendosjen e fokusit nga respektimi i rendit kushtetues e ligjor drejt disa objekteve të shembura.

Ai theksoi se është e papranueshme që Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Ambasada Gjermane t’i kushtojnë vëmendje më të madhe disa godinave të prishura sesa respektimit të ligjeve dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Rexhepi nënvizoi se Qeveria ka për detyrë kushtetuese të ruajë integritetin territorial, asetet shtetërore dhe sistemin juridik, dhe se askush, pavarësisht etnisë apo përkrahjes politike, nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Ai shtoi se nëse ndërtimet shkelin ligjin ose gjenden në zona të mbrojtura, atëherë institucionet kanë jo thjesht të drejtën, por detyrimin për të vepruar bazuar në legjislacionin aktual.
Më pas, Rexhepi theksoi se aleatët ndërkombëtarë duhet t’i dalin zot zbatimit të paanshëm të ligjit dhe të mos linë shteg për perceptimin e standardeve të dyfishta.
Ai kujtoi se partnerët ndërkombëtarë e kanë mbështetur prej vitesh shtetin ligjor në Kosovë dhe pikërisht për këtë pritet që edhe tani të mbështesin aplikimin uniform të ligjit, në vend që të japin përshtypjen se disave u aplikohen një rregulla e të tjerëve rregulla të ndryshme.
Rexhepi ritheksoi karakterin sovran e demokratik të Kosovës dhe se vendimet e autoriteteve të saj duhet të nderohen kur mbështeten në ligj dhe merren nga organet përgjegjëse. Për të, sundimi i ligjit nuk mund të vihet në diskutim dhe nuk duhet të jetë selektiv.
Në përfundim, ai i dha mbështetje të plotë Qeverisë për të gjitha aksionet që kanë në qendër mbrojtjen e interesit të përgjithshëm dhe fuqizimin e shtetit nëpërmjet ligjshmërisë.
Rexhepi e mbylli prononcimin për “Bota sot” duke theksuar se Qeveria e meriton përkrahjen për çdo nismë që mbron të mirën publike, pasurinë shtetërore dhe rendin kushtetues dhe se konsolidimi i shtetit arrihet me anë të ligjit, jo duke toleruar parregullsitë. Sipas tij, rruga e një shteti të pjekur e europian kalon përmes mbrojtjes së sovranitetit, ligjit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve përpara institucioneve.
