Pas mbylljes së Kupës së Botës 2026, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, doli në mbrojtje të mënyrës se si u organizua turneu dhe akuzoi kritikët se kishin përhapur urrejtje dhe informacione të rreme.
Të lidhura
None found
Kreu i FIFA-s e përshkroi veprimtarinë si të suksesshme, pavarësisht kundërshtimeve për çmimet e larta të biletave, vështirësitë logjistike dhe debatet që shkaktoi vendimi për pezullimin e Folarin Balogun. Ai nënvizoi gjithashtu se organizata do të vijojë zgjerimin e garave në nivel global.
Në një reagim në Instagram, Infantino shkroi: “Më vjen keq për të gjithë ju që humbët mundësinë për të parë fëmijë, foshnja, gjyshër dhe prindër të bashkuar nga loja e bukur. Tani që ndeshjet kanë përfunduar, më vjen keq që nuk e përjetuat gjithë atë gëzim dhe bashkim. Më vjen keq që urrejtja dhe kritikat ju përfshinë aq shumë, saqë humbët gjithçka.”
Një pjesë të mesazhit të tij, presidenti i FIFA-s ua drejtoi gazetarëve dhe komentuesve, të cilët i fajësoi për përhapjen e kritikave të padrejta.
“Të gjithë atyre që qëndrojnë pas stilolapsave dhe letrave apo përpara ekraneve, duke shpërndarë urrejtje dhe thashetheme të pavërteta, dua t’u them se, ndërsa ju qëndroni ulur, ne në FIFA jemi në vijën e parë: organizojmë, punojmë fort dhe sjellim spektaklin më të madh në botë”, deklaroi ai.
Infantino foli edhe për polemikat e krijuara nga anulimi i pezullimit të Folarin Balogun, duke argumentuar se raste të tilla hasen shpesh në futboll.
“Është e kuptueshme që të mos jeni dakord me disa vendime të marra nga autoritetet kompetente, por ju lutem konsultoni dokumentet publike. Vendime të këtij lloji ndodhin zakonisht në disa prej ligave më të rëndësishme”, u shpreh kreu i FIFA-s.
Ai shtoi: “Në disa nga kampionatet më të mëdha të botës, vendimet e debatueshme të gjyqtarëve apo masat e pazakonta disiplinore janë pjesë e rutinës dhe pranohen gjerësisht. Këtu përfshihen kartonët e kuq ose të verdhë të dhënë gabimisht, si edhe vendimet e mëvonshme për të mos pezulluar lojtarë në rrethana të caktuara.”
Në përfundim, Infantino iu kundërpërgjigj edhe vërejtjeve që lidheshin me pajisjen e tifozëve me viza.
“Ju folët për disa individë që nuk arritën të merrnin vizë, por shpërfillët miliona të tjerë nga çdo pjesë e botës, kërkesat e të cilëve u miratuan”, përfundoi Infantino.
