Përmes një postimi në Facebook, deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kundërshtuar deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama, i cili u drejtohet shqiptarëve duke u kërkuar t’i besojnë “besën”.
Sipas saj, besa përbën një nocion të shenjtë, të rrënjosur në traditë, në tokë dhe në origjinë, prandaj nuk mund të zhvishet e të përdoret si slogan politik. “Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa. Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish dhe, si e tillë, asht thellësisht natyrore”, shkruan ajo.
Të lidhura
None found
Koçeku nënvizon se të parët tanë e lidhnin besën me tokën, malin, gurin dhe vendbanimin, duke i konsideruar këta elementë si dëshmitarë të fjalës së dhënë. Ajo shton se edhe kur persona të përfshirë në gjakmarrje apo krime kërkojnë pajtim, sipas traditës ata rikthehen te kulla e stërgjyshërve, te logu ose te kisha e fshatit për të marrë besën.
Deputetja ironizon se ata që e perceptojnë tokën thjesht si sipërfaqe për ndërtim kullash shumëkatëshe apo komplekse turistike, nuk mund ta kapin dot thelbin e këtij koncepti. “Ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë”, thekson ajo në reagimin e saj.
Në mbyllje, Koçeku shpreh bindjen se lidhja me tokën dhe natyrën përbën themelin e besës, duke shtuar: “Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!”
