Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor e kanë përkeqësuar thatësirën në Evropë. Ekipi ndërkombëtar i studiuesve deklaroi këtë të enjte se faktori kryesor pas kushteve jashtëzakonisht të thata është nxehtësia ekstreme dhe jo mungesa e reshjeve.
Nga studimi i grupit World Weather Atribution rezulton se klima më e ngrohtë e ditëve të sotme ka shtuar ritmin me të cilin tokat, liqenet dhe lumenjtë evropianë humbasin lagështinë, duke e bërë thatësirën më të mundshme.
Të lidhura
None found
Thatësira po prek gjatë kësaj vere shumë shtete të Evropës. Franca mund të regjistrojë prodhimin më të ulët të misrit në 50 vjet, kurse Rumania ka vendosur kufizime për aksesin e fermerëve në ujin e ujitjes. Holanda njoftoi javën e kaluar se po përballet me mungesë uji, ndërsa shtatë ishuj grekë kanë shpallur gjendje emergjence për shkak të thatësirës, me synimin për të ruajtur rezervat ujore.
Një prej studiuesve theksoi se kërcënimi nga thatësira po shtohet edhe në zonat ku sasia e reshjeve ka pësuar pak ndryshime ose ku, në varësi të stinës, parashikohet rritje e tyre.
Zachariah, nga “Imperial College London”, u shpjegoi gazetarëve të mediave ndërkombëtare se, në tërësi, rezultatet dëshmojnë se kjo thatësirë nuk lidhet kryesisht me reshjet e pakta. Sipas tij, shkaku është një atmosferë më e ngrohtë, e cila po krijon deficite më të mëdha të lagështisë në tokë.
Studimi i World Weather Atribution zbuloi gjithashtu se, krahasuar me një botë pa ndryshime klimatike, tokat jashtëzakonisht të thata janë sot pesë herë më të mundshme në Evropën Perëndimore dhe 11 herë më të mundshme në Evropën Lindore.
