Gjatë seancës plenare të Kuvendit, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, shpërtheu me akuza të forta dhe ofendime ndaj deputetit socialist Blendi Klosi.
Nga foltorja, ai e sulmoi Klosin me gjuhë të ashpër, duke e akuzuar se mbron kryeministrin Edi Rama për përfitime personale dhe se është i dhënë pas kumarit.
Të lidhura
None found
Berisha u shpreh: “Mblidhini letrat e bixhozit! Ju jeni shembulli më i keq i abuzimit me paratë e shqiptarëve, skandali McGonigal, përpjekja kundër opozitës, lubinë dhe 320 apartamentet e saj. Edhe ti, Klosi, duhet të jesh aty. Të ka dhënë ndonjë kockë Rama, se ty të pëlqen bixhozi. Unë e njoh atë, ai nuk ka kufij. Për kumar shet gjithçka. Ti përfaqëson mbrojtjen më të shëmtuar ndaj qytetarëve shqiptarë, pasi i keni dëbuar jashtë. Bixhozi yt ka një aksion të vogël, prandaj vjen këtu dhe mbron Edi Ramën. Një njeri që tani është damkosur botërisht. Ai është njeriu më i damkosur.”
Më tej, kreu demokrat deklaroi se Klosi po ushtron “avokatinë më të shëmtuar” në emër të qeverisë dhe të kryeministrit, duke shtuar se Edi Rama është “njeriu më i damkosur” në skenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Blendi Klosi u përgjigj se Berisha vepron kështu prej vitesh. “Unë nuk kam çfarë të them, por u drejtohem kolegëve të opozitës që vazhdojnë ta mbajnë si lider; ai ka 35 vjet në Kuvend dhe ende nuk i ka humbur ndjesitë e Sekretarit të Partisë. Ka ardhur në këtë sallë dhe ka përsëritur të njëjtën gjë për 35 vjet. Unë i them: ke vrarë njerëz në bulevard, ke shtënë mbi protestuesit, ndërsa ai rrëfen përralla. Për ne, le të vazhdojë, sepse kështu na shtohen votat.” – tha Klosi.
