Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, mjetet e rënda të ndërtimit shembën 11 banesa të vendosura buzë Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok.
Të lidhura
None found
Zyrtarët bënë të ditur se ndërtesat ishin ngritur në mënyrë të kundërligjshme në një truall që gjendet nën administrimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, çka ndezi një debat të ri mbi të drejtën e pronësisë dhe juridiksionin e institucioneve.
Faruk Mujka, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, në një prononcim për “Bota sot” sqaroi se tokat ku u ndërhye janë pronë e “Ibër-Lepencit” që prej vitit 1973, moment kur u finalizua shpronësimi për krijimin e Liqenit të Ujmanit.

Ai nënvizoi se fushatat për çlirimin e pronave publike nga ndërtimet e paligjshme do të shtrihen në çdo hapësirë të uzurpuar, pavarësisht origjinës etnike të shkelësve.
“Parcelat nuk janë thjesht nën administrim, por janë pronë e plotë e ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenc’ që nga momenti i shpronësimit për nevojat e ndërtimit të liqenit, në vitin 1973. Infrastruktura jonë është me rëndësi kritike dhe domosdoshmërisht duhet të mbahet nën kontroll të plotë nga ndërmarrja. Për më tepër, liqeni konsiderohet burim ujor nga i cili furnizohet një e treta e popullatës së Republikës së Kosovës,” deklaroi Mujka.
Ai shtoi se “operacioni për lirimin e pronave publike, në këtë rast ato që i takojnë ‘Ibër-Lepencit’, do të vazhdojë kudo ku ka uzurpime dhe ndërtime pa leje, pa bërë asnjë dallim në baza nacionale.”
