Për të njëmbëdhjetën natë me radhë, forcat amerikane kanë kryer një seri të re goditjesh kundër objektivave në Iran. Presidenti Donald Trump paralajmëroi se objektivi i radhës mund të jetë një strukturë bërthamore e fshehur nën tokë pranë Natanzit, e njohur me emrin “Pickaxe Mountain”.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom), qëllimi i këtyre operacioneve është të paralizojë kapacitetet e Iranit për të rrezikuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një kalim jetik për furnizimin botëror me energji.
Raporte nga mediat zyrtare në Iran treguan për alarmin e sistemeve të mbrojtjes ajrore në kryeqytetin Teheran. Paralelisht, shpërthime u raportuan në disa pika të tjera të vendit, përfshirë qytetin veriperëndimor të Tabrizit, portet jugore të Chabahar dhe Konarak, si dhe në zonën e Bushehrit, vendndodhja e centralit të vetëm funksional bërthamor të Republikës Islamike.
Gjatë një takimi me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi përqendrimin në objektivin pranë Natanzit. Uashingtoni beson se atje Irani po vijon ndërtimin e një infrastrukture të fshehtë për pasurimin e uraniumit.
“Goditja në atë zonë do të ndodhë së shpejti dhe do të jetë tejet e fuqishme,” deklaroi presidenti amerikan, duke theksuar bindjen se mbrojtjet iraniane nuk do të mund ta mbronin dot atë objektiv.
Pala iraniane iu përgjigj paralajmërimeve duke theksuar se një agresion kundër instalimeve të saj bërthamore do të interpretohej si përshkallëzim i konfliktit në rajon dhe do të sillte një përgjigje hakmarrëse të drejtpërdrejtë kundër interesave të SHBA-së dhe partnerëve të saj.
Kostoja financiare e këtij konflikti për Uashingtonin ka qenë e konsiderueshme. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri të ditur se shpenzimet për operacionet ushtarake kanë kapur deri tani shifrën rreth 37.5 miliardë dollarë dhe se nevojiten burime të reja për të vazhduar fushatën.
Centcom publikoi detaje mbi objektivat e sulmeve, duke përmendur shkatërrimin e qendrave të komandës ushtarake, mjeteve detare, strehëve të avionëve, depove të dronëve dhe rrjeteve logjistike. Sipas akuzave të ushtrisë amerikane, forcat iraniane kanë goditur më shumë se 30 anije tregtare vetëm në tre muajt e fundit në Ngushticën e Hormuzit.
Vala e tensioneve është ndjerë edhe jashtë kufijve iranianë. Autoritetet në Kuvajt raportuan se mbrojtja e tyre ajrore u vu në alarm nga një sulm me dronë që vinin nga Irani, ndërkohë që Bahreini dhe Jordania konfirmuan se kishin ndaluar sulme të ngjashme me raketa dhe aparate pa pilot.
