Emiliano Martinez, gardiani i skuadrës së Argjentinës, ka dhënë sinjale se fundi i aventurës së tij me fanellën “Albiceleste” mund të jetë afër, pas disfatës kundër Spanjës në finalen e Kupës së Botës.
Të lidhura
None found
Megjithëse bëri 11 pritje, duke vendosur një rekord absolut në një finale të Botërorit për numrin e ndërhyrjeve, Martinez nuk mundi të ndalte golin e Ferran Torresit që erdhi në minutat shtesë dhe i dha trofeun spanjollëve.
Kjo ishte paraqitja e tij e tetë në këtë turne, ku luajti si titullar në çdo ndeshje të Argjentinës, duke e çuar numrin total të përfaqësimeve me kombëtaren në 67.
Portieri i Aston Villas tashmë ka siguruar një vend të përjetshëm në panteonin e futbollit argjentinas, falë rolit të tij vendimtar në fitoren e Kupës së Botës në vitin 2022.
Pas vërshëllimës finale të sfidës së zhvilluar të dielën në zonën e New York/New Jersey, Martinez ishte i pikëlluar, duke qëndruar në pankinë me lot në sy, teksa lojtarët spanjollë shpërthenin në festë për trofeun e fituar.
Me organikën e Argjentinës që kishte një moshë mesatare rreth 30 vjeç në këtë Botëror, ndryshimet në gjirin e ekipit përpara edicionit të vitit 2030 duken të pashmangshme. Gjithashtu, e ardhmja e figurave si Lionel Messi dhe trajneri Lionel Scaloni mbetet në mjegull.
Vetë 33-vjeçari la të nënkuptohej një lamtumirë e mundshme përmes një postimi në Instagram të hënën.
“Ëndërroja të ngrija sërish trofeun; dëshiroja ta sillja edhe një herë këtë gëzim në Argjentinë dhe të krijonim një tjetër kapitull historie,” shkroi ai.
“Per të qenë i sinqertë, kjo dhimbje është e papërshkrueshme. Tani më duhet të ndalem, të analizoj thellë dhe të vendos nëse momenti për t’u tërhequr ka ardhur vërtetë.”
“Më vjen tejet keq për këtë. Dhashë maksimumin tim për t’i shërbyer vendit dhe bashkëlojtarëve të mi,” përmbylli mesazhin e tij.
