Me një arkëtim global prej 264 milionë dollarësh në fundjavën e parë, “Odisea” po shënon suksesin më të madh të sezonit të verës. Kritikët kanë reaguar me entuziazëm, ku Peter Bradshaw nga “Guardian” i dha vlerësimin maksimal prej pesë yjesh, ndërkohë që spektatorë besnikë po udhëtojnë nëpër botë për të kapur filmin epik të Christopher Nolan-it në një nga sallat e pakta Imax 70 mm.
Të lidhura
None found
Pritshmëritë janë që filmi të vazhdojë të dërrmojë konkurrencën në box office për javë me radhë, veçanërisht në një verë të varfër me premiera të rëndësishme, përjashtim bën vetëm “Spider-Man: Brand New Day”.
Një arritje madhështore kinematografike
Pas triumfit të “Oppenheimer” në Oscaret e vitit 2024 me çmimin e filmit më të mirë, Nolan kuptoi se kishte një moment unik për të realizuar një aspiratë të moçme: përshtatjen e veprës së Homerit në kinema.
“Tani për tani, kam mundësinë të sjell në jetë një projekt që përndryshe do të ishte i pamundur”, i rrëfeu ai së fundmi të përditshmes Guardian.
Çdo cent i buxhetit marramendës prej 250 milionë dollarësh duket qartë në çdo skenë të Odisesë. Pamjet e Itakës janë spektakolare, ndërsa rruga e protagonistit tonë drejt nëntokës përcillet nga një atmosferë ogurzeze, të cilën Nolan e krijoi duke xhiruar në brigjet me rërë të zezë të Islandës, të ndriçuara nga drita e përhimët e diellit të mesnatës.
Për të arritur larminë vizuale të peizazheve, regjisori kreu xhirime në gjashtë shtete, përfshirë Skocinë, Greqinë, Italinë dhe Maltën, si dhe në zgjedhjen e diskutueshme të Saharasë Perëndimore. Ky rajon, i administruar nga Maroku, është cilesuar nga OKB-ja si territor i paçliruar nga kolonializmi dhe konsiderohet shpesh si kolonia e fundit e Afrikës.
Skenat madhështore në Mesdhe u realizuan në det të hapur, ku Nolan iu shmang efekteve kompjuterike dhe zgjodhi oqeanin e vërtetë të trazuar, me Odiseun dhe shokët e tij në bordin e të vetmes anije funksionale të epokës Vikinge në botë. Një kopje tjetër e anijes u ndërtua për t’u përdorur në një basen gjigant uji të ngritur në parkingun e studios Universal.
“Kishim dy motorë gjigantë, si ata të aeroplanëve 737, që na hidhnin ujë. Ishte ndoshta mënyra më e vështirë e mundshme për të rikrijuar detin në një ambient të kontrolluar”, tregoi Matt Damon.
Inovacion teknik
Nolan ka qenë një mbështetës i flaktë i formatit Imax për dy dekada tani. Në vitin 2008, “The Dark Knight” ishte filmi i parë i madh i Hollivudit që e përdori këtë teknologji për sekuencat e aksionit, dhe që atëherë përdorimi i kamerave Imax është rritur ndjeshëm në filmografinë e tij. Për këtë projekt, Nolan filmoi me gjashtë kamera të tilla, të futura në një kapsulë të izoluar nga zëri për të shuar zhurmën e tyre karakteristike.
Po ashtu, ekipi bashkëpunoi me një kompani LED për të ndërtuar aparatura ndriçimi të pagëzuara “pirohedronë” (piramida të zjarrta), që krijonin përshtypjen se drita e vakët e flakëve po ndriçonte me ngrohtësi skenat e brendshme dhe ato nate.
“Synimi ishte që aparati të perceptonte tamam atë që sheh syri i njeriut”, shpjegoi Nolan për New York Times.
Hyjnorja e afruar në botën tokësore
Në poemën e Homerit, perënditë janë figura që veprojnë të shtyra nga interesat e tyre personale, siç theksoi klasikistja Emily Wilson në përkthimin e saj, duke ndërhyrë në fatet e njerëzve kryesisht nga tekat dhe pasionet e çastit. Por interpretimi i Nolan-it për marrëdhëniet mes hyjnive, gjysmëperëndive dhe njerëzve është më i kufizuar në sferën tokësore, ku Athina e Zendayas shfaqet më shumë si një aleate dhe këshilltare e besuar e Odiseut, sesa një fuqi hyjnore e mistershme.
Charlize Theron është gjithmonë bindëse në çdo rol, por ajo që Nolan i ka dhënë nimfës Kalipso mund të duket e pamjaftueshme për disa shikues. Në sytë e regjisorit, personazhi nuk është vetëm një shtypëse e dhunshme që mban të burgosur Odiseun, por një qënie e izoluar dhe e trishtuar. Të bën të mendosh se çfarë do të mund të bënte Theron me një variant më të pamëshirshëm të rolit, një fushë ku ajo shkëlqen tek antagonistët në serialet e animuara.
Ngjashëm me studiuesen Emily Hauser, e cila ka shkruar për Guardian lidhur me lëshimet narrative të filmit, një pjesë e publikut mund të vërejë mungesën e princeshës homerike Nausicaa. Kjo e fundit në poezi ndeshet me Odiseun dhe e qorton ashpër, duke e cilësuar si “një njeri pa fjalë”, një dialog që do t’i shtonte një nuancë lehtësimi rrëfimit.
Personazhet femërore sipas Nolan
Kur Lupita Nyong’o u përzgjodh për të interpretuar Helenën e Trojës, fytyrën që bëri të niseshin njëmijë anije, komentuesit e ekstremit të djathtë reaguan me kundërshtitë e zakonshme mendjengushta. Ironia është se rolit i kushtohet fare pak kohë në film: kur Telemaku i Tom Holland shkon për vizitë në Spartë, për të takuar Helenën dhe bashkëshortin e saj Menelaun (Jon Bernthal) në mesin e filmit, bukuroshja legjendare është thuajse e heshtur, me një mbresë të tmerrshme në të majtë të fytyrës. Një vendim i guximshëm nga Nolan, megjithëse e çuditshme që asnjëherë nuk zbulohet shkaku i plagës.
Penelopa e Anne Hathaway-t, gruaja besnike e Odiseut, është një karakater i fuqishëm dhe i zgjuar, edhe pse pallati i saj është pushtuar nga kërkuesit dorë.
“Ne donim të siguroheshim që ajo nuk dukej se po mbante zi për të shoqin”, u shpreh stilistja e kostumeve Ellen Mirojnick, e cila e veshi Hathaway me tonalitetet e kuqe dhe blu të Itakës.
“Ajo përherë shfaqej si mbretëresha”. Aktorja e ka krahasuar karakterin e saj me një vullkan që zien ngadalë, deri në shpërthimin final në momentet kur ajo mallkon kërkuesit dhe dërgon shërbëtoren e saj tradhtare, Melanthon (Mia Goth), drejt një fundi të sigurt, ndërkohë që pallati përfshihet nga lufta.
Shfaqje të papritura
Disa nga çastet më emocionuese të filmit vijnë nga John Leguizamo, pothuajse i panjohshëm me flokë të thinjur në lëkurën e Eumeut, bariut gati të verbër që mbetet besnik deri në fund. Benny Safdie, në rolin e Agamemnonit, komandantit të ushtrisë greke, sjell një paraqitje të frikshme në një zgjedhje të zgjuar kundër pritshmërive. Ndërsa të tjera momente erdhën rastësisht: një tufë delfinësh që u shfaq papritur gjatë një dite xhirimi, u bënë më pas pjesë e montazhit përfundimtar të filmit.
Megjithatë, surpriza më e madhe mund të jetë përfshirja e reperit Travis Scott në rolin e një tregimtari endacak, që hap filmin me rrëfimin e bëmave të Odiseut në Trojë. Teksa flet, personazhi i tij përplas shkopin në tokë duke ndjekur ritmin e heksametrit daktilik, metri origjinal i poemës së Homerit, siç e di mirë çdo dashamirës i klasikëve.
Garat për çmime
Ndoshta është ende herët për të bërë parashikime të sakta për Oscaret e vitit të ardhshëm, pasi shumica e filmave me potencial nuk do të shfaqen para festivaleve të vjeshtës. Por Nolan është një prej të preferuarve të Akademisë, duke fituar shtatë nga 13 nominimet e “Oppenheimer” në 2024 dhe një numër të respektuar prej tre nga tetë për “Dunkirk” disa vite më herët. “Odisea” duket e sigurt për nominime në kategoritë e filmit dhe regjisorit më të mirë, si dhe në shumicën e kategorive teknike, duke i lënë garat e aktrimit më të hapura.
Pesha e vërtetë e konfliktit
Mund të thuhet pa dyshim se sekuenca më e fuqishme e Odisesë janë 30 minutat e fundit, të cilat përshkruajnë kthimin përfundimtar të Odiseut në atdhe me ndihmën e Athinës dhe hyrjen e tij të fshehtë në pallatin e Itakës i maskuar si lypës. Pasi Penelopa vë në provë burrat për të tendosur harkun, një veprim që vetëm Odiseu e realizon, ai zhvesh rrobat e rreckosura dhe zbulon identitetin e tij.
Përplasja e tij me kërkuesit nuk është kasaphanë e pamëshirshme e përshkruar nga Homeri; është një betejë e ndershme ku të dyja palët janë të armatosura. Megjithatë, kërkuesit, nën drejtimin e pabesë të Antinosit të Robert Pattinson, nuk mund t’i bëjnë ballë sundimtarit të ligjshëm të shtëpisë. Rikthimi i tij në fron është i përzier me hidhërim dhe gëzim, i shoqëruar nga rikthime në të kaluarën kur “flakët e kaosit dhe vuajtjes” përpinin Trojën, ndërsa ushtria greke plaçkiste gjithçka.
Për Nolanin, ashtu si në “Dunkirk” dhe “Oppenheimer”, lufta nuk ka asgjë të lavdishme. Siç e shpreh vetë Odiseu: “Ne kemi copëtuar fillin delikat që lidhte njerëzit”. Këtu mund të mos ketë shumë triumfues të mirëfilltë, por përfundimi i Nolan-it është disi më shpresëdhënës se ai i Homerit. Teksa poeti i madh epik e mbyllte veprën me planet e Odiseut për të organizuar plaçkitje të reja për të rifituar pasurinë, Nolan ia parashikon çiftit një të ardhme më të ndritur dhe më pak mercenare.
Në një skenë të mrekullueshme buzë detit, Odiseu dhe Penelopa e ribashkuar nisen në një udhëtim drejt perëndimit për të nderuar kujtimin e shokëve të rënë të tij, ndërsa Telemaku, i cili në këtë pikë mund të jetë diku mes 16 dhe 22 vjeç – një moshë që Holland duket se nuk e përcakton dot – qëndron për të sunduar mbi Itakën.
