Turneu i Kupës së Botës që i është besuar Arabisë Saudite për vitin 2034 rrezikon të pësojë një shtyrje të ndjeshme, duke bërë që fituesi i trofeut të shpallet vetëm në fillim të 2035-ës.
Sipas një raportimi të gazetës britanike The Sun, ekziston skenari që kompeticioni të mos përmbyllet tërësisht brenda vitit kalendarik 2034, por të zgjasë deri në janar apo edhe shkurt të vitit pasardhës.
Të lidhura
None found
Që nga momenti i parë, organizatorët janë ndeshur me një pengesë të dyfishtë klimatike dhe fetare. Ndryshe nga Botërori i Katarit 2022, ku sfida e të nxehtit ekstrem u tejkalua duke e zhvendosur garën në nëntor dhe dhjetor, Arabia Saudite nuk mund të aplikojë të njëjtën formulë.
Shkak për këtë bëhet kalendari hënor islamik, i cili përcakton se muaji i shenjtë i Ramazanit në vitin 2034 do të fillojë më 12 nëntor dhe do të përfundojë më 12 dhjetor. Gjasat që një aktivitet i përmasave të një Botërori të zhvillohet pikërisht gjatë kësaj periudhe janë thuajse inekzistente.
Për pasojë, FIFA dhe organizatorët po shqyrtojnë disa alternativa kohore. Njëra prej tyre parasheh nisjen e turneut në gjysmën e dytë të dhjetorit 2034 dhe finalen në fund të janarit 2035. Një tjetër opsion është shtyrja totale e kompeticionit, me fillim në janar dhe ndeshjen vendimtare në shkurt 2035.
Nëse një nga këto variante miratohet, do të shënonte një moment historik për futbollin botëror: për herë të parë, një Kupë Bote do të shtrihej në dy vite të ndryshme ose do të luhej tërësisht në një vit me numër tek.
Pritet që Federata Ndërkombëtare e Futbollit të marrë një vendim përfundimtar mbi këtë çështje gjatë vitit 2027.
