Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), zhvilloi sot një takim zyrtar me përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë. Në takim morën pjesë zëvendësshefja e Misionit, Agnes Allens, shefja e Sundimit të Ligjit, Margaret Belof, dhe Zyrtarja për Zbatimin e Politikave për Sundim të Ligjit, Altina Besimi.
Të lidhura
None found
Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë pozitive dhe bashkëpunuese, ndërsa në qendër të tyre ishin zhvillimet e fundit në sistemin prokurorial të Kosovës, fuqizimi i mëtejshëm i sundimit të ligjit dhe ruajtja e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.
Palët trajtuan gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm të Këshillit Prokurorial për ndërtimin e një sistemi prokurorial gjithëpërfshirës. Në këtë drejtim, sigurimi i përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve mbetet ndër prioritetet kryesore të institucionit.
Gashi njoftoi se së shpejti do të hapet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj, me synimin që të përparojë përfaqësimi i drejtë i tyre brenda sistemit prokurorial të vendit.
Përfaqësuesit e Ambasadës Britanike, ndërkaq, konfirmuan sërish gatishmërinë për ta vijuar mbështetjen për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, në funksion të çuarjes përpara të reformave dhe konsolidimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit në vend.
