Mirlind Daku pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos verore në futbollin rus.
Të lidhura
None found
Mediat në Rusi raportojnë se CSKA Moska është e gatshme të aktivizojë klauzolën e lirimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, duke paguar 10 milionë euro për transferimin e tij gjatë këtij afati kalimtar.
Pavarësisht interesimit konkret, palët nuk e kanë mbyllur ende marrëveshjen. Dy klubet nuk kanë gjetur një akord për transferimin, ndërsa Daku dhe CSKA-ja nuk janë pajtuar as për kushtet personale.
Përfaqësuesit e futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë kanë bërë të ditur se CSKA Moska nuk është skuadra e vetme që po e kërkon atë.
“Ka disa ekipe të interesuara për Dakun, por në fillim të sezonit ai është i përqendruar te Rubini. Do të shohim se çfarë do të sjellë afati kalimtar i transferimeve”, ka deklaruar agjencia e sulmuesit.
Për ta bindur 28-vjeçarin që të kalojë në kryeqytetin rus, CSKA Moska raportohet se ka përgatitur një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon.
Te Rubin Kazani, Daku është kthyer në një prej futbollistëve më me peshë dhe vlerësohet si sulmuesi kryesor i ekipit.
Reprezentuesi shqiptar iu bashkua klubit rus në verën e vitit 2023, pas transferimit nga Osijeku për 1.2 milionë euro. Kontrata e tij me Rubin Kazanin është e vlefshme deri në verën e vitit 2029.
