Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Millanov, deklaroi sot se ndalesa për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe përgatitje ushqimi do të vazhdojë të zbatohet derisa analizat laboratorike të dëshmojnë se ai është i sigurt. Ai theksoi se gjendja po ndiqet me kujdes dhe se po ndërmerren masat e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rastit, zbulimin dhe eliminimin e shkaqeve që sollën këtë situatë dhe rrezikuan shëndetin e qytetarëve. Sipas tij, çdo pjesë e procedurës do të hetohet.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për media të mbajtur në Qeveri, Milanov bëri të ditur se shërbimet inspektuese edhe sot po vijojnë kontrollet te operatorët ushqimorë në rajonin e Gostivarit. Ai sqaroi se masat e jashtëzakonshme dhe mbikëqyrja e intensifikuar synojnë të përcaktojnë me saktësi burimin, shkallën dhe përmasat e kontaminimit, si dhe të sigurojnë rezultate të reja dhe relevante laboratorike. Mbi bazën e këtyre rezultateve do të vendosen të gjitha veprimet e mëtejshme për rastin.
Millanov tha se AUV-ja po e monitoron me vëmendje të posaçme cilësinë e ujit të pijshëm në Komunën e Gostivarit. Pas marrjes së informacioneve të para për një rrezik të mundshëm ndaj shëndetit publik, shërbimet inspektuese të Agjencisë zhvilluan kontroll të jashtëzakonshëm në sistemin e furnizimit me ujë në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit. Veprimi pasoi njoftimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit dhe kallëzimin e MPB Gostivar për cenim të mundshëm të sigurisë së ujit të pijshëm në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit.
Në përputhje me kompetencat ligjore dhe protokollet e përcaktuara, kontrolli u realizua më 16 korrik, në orët e vona të mbrëmjes. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, PTHP Gostivar dhe teknikës kriminalistike të MPB-së.
Gjatë mbikëqyrjes, sipas drejtorit, u zbulua se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishin montuar ilegalisht dhe pa leje pompa, përmes të cilave injektohej drejtpërdrejt në sistem ujë nga lumi Vardar.
Për të përcaktuar nëse uji ishte i sigurt, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik morën katër mostra për analiza laboratorike. Mostrat u siguruan nga rezervuari, burimi i ujit, uji sipërfaqësor dhe një çezmë publike në një xhami.
Millanov njoftoi se AUV-ja vendosi menjëherë ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm, me qëllim parandalimin e një rreziku më të madh për banorët e rajonit. Gjatë ditës së djeshme, veprimtaritë u zgjeruan ndjeshëm dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë morën mostra të tjera në të gjithë sistemin e furnizimit me ujë. Kontrollet përfshinë institucionet publike, kopshtet, objektet hotelierike dhe subjekte të tjera që e përdorin këtë ujë për pije ose përgatitje ushqimi.
Ai paralajmëroi se Agjencia, brenda kompetencave të saj ligjore, do të marrë të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo subjekti ku evidentohen mangësi apo mosrespektim i detyrimeve të parashikuara me ligj.
Drejtori u bëri thirrje qytetarëve që, deri në pranimin e rezultateve përfundimtare laboratorike dhe normalizimin e plotë të situatës, të zbatojnë vazhdimisht rekomandimet e institucioneve kompetente shëndetësore dhe të pushtetit lokal për përdorimin e ujit të pijshëm.
Millanov shtoi se AUV-ja është përgjegjëse për marrjen e mostrave zyrtare të ujit, ndërsa analizimi i tyre kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik. Ky institucion duhet t’ia dorëzojë zyrtarisht rezultatet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
