Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit, ku u plagosën tre persona.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:30 në verandën e një lokali. Sipas njoftimit, një person që ende nuk është identifikuar qëlloi me pistoletë ndaj tre shtetasve.
Të lidhura
None found
Si pasojë e të shtënave u plagosën Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç, dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç. Të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në çastin kur ndodhi sulmi, brenda lokalit gjendej një oficer policie jashtë shërbimit. Pasi dëgjoi krismat, ai doli menjëherë nga ambienti dhe nisi të ndiqte autorin.
Gjatë largimit, i dyshuari hodhi armën e zjarrit dhe më pas mundi të arratisej në thellësi të lagjes. Zona është rrethuar në një perimetër të gjerë nga forca të shumta policore, ndërsa po kryhen kontrolle intensive për gjetjen dhe arrestimin e tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Në të njëjtën kohë po mblidhen dhe sekuestrohen provat që do të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit.
