Federata e Futbollit ka organizuar një takim me përfaqësues të klubeve të Abissnet Superiore, në kuadër të nismës “Klubi në Komunitet”. Programi synon të afrojë më tepër klubet me zonat ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre, të rrisë përfshirjen e tifozëve dhe të nxjerrë në pah ndikimin shoqëror të futbollit.
Të lidhura
None found

Në këtë takim, drejtuesit e FSHF-së shpalosën synimet dhe boshtet kryesore të programit, duke nënvizuar nevojën për lidhje më afatgjata mes klubeve dhe komuniteteve përkatëse. Nisma parashikon mbështetje për klubet në organizimin e veprimtarive që lidhin futbollin me tifozët, familjet, të rinjtë dhe institucionet e zonave ku ato janë aktive.


Diskutimet u përqendruan gjithashtu te format e bashkëpunimit mes FSHF-së dhe klubeve për realizimin e nismave konkrete komunitare përgjatë sezonit sportiv. Në tryezë u ndanë edhe ide për projekte që synojnë zgjerimin e pjesëmarrjes së tifozëve dhe konsolidimin e identitetit të klubeve.


Përmes “Klubi në Komunitet”, synohet që klubet të kenë një rol më të fuqishëm si pjesë e rëndësishme e jetës sociale në komunitetet e tyre. Programi parashikon krijimin e kanaleve më të forta të komunikimit me publikun, si edhe përhapjen e vlerave pozitive që përcjell futbolli.



Me këtë iniciativë, Federata e Futbollit vazhdon mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm të klubeve shqiptare dhe për afrimin gjithnjë e më të madh të futbollit me komunitetin.
