Për të shtatën natë me radhë, forcat amerikane kanë zhvilluar operacione kundër objektivave në Iran, duke vënë në shënjestër infrastrukturë ushtarake, rezerva armësh dhe kapacitete detare. Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, njoftoi se aksionet përfunduan gjatë natës dhe se në to u angazhuan avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake.
Të lidhura
None found
Sipas CENTCOM, mes pikave të goditura ishin qendra vëzhgimi, struktura të logjistikës ushtarake, depo armësh nën tokë si edhe baza detare.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë theksoi se operacionet e SHBA-së kanë synuar ekskluzivisht objektiva ushtarake. Uashingtoni ka hedhur poshtë edhe pretendimet se ka goditur infrastrukturë civile në Iran.
Megjithatë, autoritetet e provincës Hormozgan raportuan se shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve. Pamje të verifikuara dëshmojnë dëme të mëdha në Urën Gariveh, ndërsa fotografitë e publikuara gjatë ditës paraqesin një segment rruge të shembur dhe hapësira të mbuluara nga rrënojat.
Teherani deklaroi se është kundërpërgjigjur duke goditur objektiva që lidhen me aleatët e SHBA-së në rajon. Irani pretendoi gjithashtu se ka sulmuar instalime ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein, Jordani dhe, për herë të parë, në Siri, por SHBA i mohoi këto deklarata.
Kuvajti bëri të ditur se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar raketa dhe dronë. Ndërsa Jordania njoftoi se ka interceptuar 10 raketa iraniane që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, pa shkaktuar dëme.
Sipas autoriteteve kuvajtiane, sulmet me dronë lanë të plagosur disa ushtarë dhe shkaktuan dëme në një termocentral si edhe në impiante për desalinimin e ujit. CBS News raporton se gjatë javës së kaluar janë plagosur edhe disa ushtarakë amerikanë në sulmet kundër dy bazave në Jordani.
Irani raportoi po ashtu shpërthimin e dy cisternave të naftës pranë Ngushticës së Hormuzit dhe fajësoi SHBA-në për ngjarjen. CENTCOM i kundërshtoi këto akuza, duke i cilësuar të pavërteta.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan për shpërthime në Yazd, në ishullin Qeshm dhe në portin Bandar Abbas, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Situata e tensionuar ka sjellë një rënie të ndjeshme të lëvizjes detare në Ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë ujore ka rëndësi jetike, pasi përmes saj transportohet rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit kanë vazhduar prej një jave, pas dështimit të negociatave për armëpushim, ndërsa tensionet në Gjirin Persik vijojnë të mbeten të larta.
