Ministria e Infrastrukturës dhe Menaxhimit të Ujërave ka bërë të ditur se Holanda po përballet zyrtarisht me mungesë uji, ndërsa thatësira dhe temperaturat e larta kanë përkeqësuar situatën.
Të lidhura
None found
Pas rekomandimit të Komitetit Kombëtar për Koordinimin e Shpërndarjes së Ujit, LCW, vendi është vendosur në nivelin e dytë të alarmit për mungesën e ujit. Autoritetet dhe kompanitë e furnizimit po vlerësojnë alternativa të reja për administrimin dhe shpërndarjen e rezervave ujore, megjithëse masat konkrete nuk janë publikuar ende.
Në fillim të korrikut, Holanda kishte kaluar në nivelin e parë të paralajmërimit për një mungesë të mundshme uji. Kalimi në nivelin e dytë vjen ndërsa prurjet e lumenjve vazhdojnë të pakësohen për shkak të mungesës së reshjeve dhe periudhës së zgjatur të vapës. Niveli i tretë do të nënkuptonte shpalljen e një krize të plotë ujore.
Qeveria holandeze thekson se furnizimi me ujë të pijshëm është ende i qëndrueshëm, por u ka kërkuar qytetarëve të shmangin shpërdorimin dhe ta përdorin ujin me kursim.
Sipas autoriteteve, ndikimet e para të mungesës së ujit pritet të shfaqen në transportin lumor, bujqësi dhe industri. Ulja e niveleve në lumenj po e bën më të vështirë lundrimin, duke i detyruar anijet të mbajnë më pak ngarkesë për të mos mbetur të bllokuara. Nga ana tjetër, fabrikat mund të kenë kufizime për përdorimin dhe shkarkimin e ujit të ftohjes, pasi rënia e niveleve të lumenjve rrit temperaturën e ujit.
Në disa zona, përrenjtë dhe kanalet kanë mbetur krejtësisht të thatë. Për muajt e ardhshëm, autoritetet po përgatisin masa të tjera, përfshirë përdorimin e pompave dhe digave, me synimin për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm.
