Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se janë siguruar 148 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. Sipas tij, tani pritet kontrollimi i nënshkrimeve të mbledhura.
Të lidhura
None found
Abdixhiku ka bërë të ditur se, pasi të përmbyllet verifikimi, LDK-ja do të publikojë datën dhe vendndodhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
“Data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit do të bëhen publike pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve. LDK-ja ka qenë dhe duhet të vazhdojë të jetë shtylla e fuqisë së vet. Për këtë arsye, nuk duhet t’i ikim asnjë procedure demokratike. Nuk do t’ia mohojmë askujt të drejtën e votës dhe as nuk do të mbajmë ndonjë funksion kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ndërkohë, analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar në një prononcim për “Bota sot” se LDK-ja nuk e ka kohën e duhur për zgjedhje të brendshme. Ai ka thënë se fokusi kryesor në këtë fazë duhet të jetë formimi i institucioneve.
Sipas Mehmetit, ndasitë dhe konfliktet brenda partisë mund të prodhojnë pasoja serioze si për LDK-në, ashtu edhe për zhvillimet politike në vend.

“Mendoj se LDK-ja nuk është në kohën e përshtatshme për të hyrë në zgjedhje të brendshme, sepse përpara saj qëndron procesi i krijimit të institucioneve. Një LDK e ndarë mund t’i kushtojë vendit edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kjo nuk nënkupton që LDK-ja duhet të fajësohet për këtë gjendje, por zhvillimi i zgjedhjeve në këtë fazë, kur partia ka përçarje dhe akuza të brendshme, do ta dëmtonte rëndë atë”, ka thënë ai.
Mehmeti ka paralajmëruar gjithashtu se hapja e një procesi të tillë në këtë periudhë mund të ketë ndikim të madh në rezultatin elektoral të partisë, madje duke e përballur atë me rezultatin më të dobët në historinë e saj.
“Madje, besoj se LDK-ja mund të shënojë rezultatin më të dobët që ka pasur ndonjëherë dhe të përjetojë një debakël të vërtetë politik. Në këtë drejtim, dëmin më të madh po ia shkaktojnë grupet e interesit brenda saj, të cilat fillimisht është dashur të presin formimin e institucioneve, e pastaj të kërkojnë përgjegjësi ose vendimmarrje për z. Abdixhiku. Ky proces duhej të niste nga degët e partisë dhe të zhvillohej në mënyrë më serioze dhe institucionale”, është shprehur ai.
Sipas analistit, kërkesat për ndryshime në LDK mund të kenë arsye, por koha dhe forma me të cilën po paraqiten po e godasin ndjeshëm imazhin e partisë.
“Edhe nëse këta persona kanë bazë për të kërkuar ndryshime për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje, momenti kur po e bëjnë këtë, sipas mendimit tim, po e dëmton rëndë LDK-në. Ata rrezikojnë të mbajnë përgjegjësi për një rezultat të dobët të partisë në të ardhmen. Pra, goditjen më të madhe LDK-së po ia japin vetë njerëzit e saj, të cilët me këto përplasje të brendshme po e dobësojnë partinë dhe rrezikojnë ta çojnë në një gjendje shumë të rëndë politike”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
