Një rrëshqitje e rëndë dheu në jugperëndim të Kinës ka rrëzuar disa godina banimi, ndërsa dyshohet se një numër ende i pacaktuar njerëzish mund të kenë mbetur të varrosur nën masën e dheut dhe rrënojat.
Incidenti u regjistrua në Qarkun Pengshui, një prej zonave urbane më të mëdha të Kinës. Mediat shtetërore raportojnë se rreth orës 8 të mëngjesit, një punonjës i komunitetit informoi autoritetet pasi kishte konstatuar lëvizje gurësh dhe shenja që paralajmëronin mundësinë e një rrëshqitjeje.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas njoftimit, autoritetet ndërmorën evakuimin e zonës dhe urdhëruan që më shumë se 60 banorë të largoheshin nga objektet e ekspozuara ndaj rrezikut. Por, teksa po zhvillohej evakuimi, situata u rëndua: rreth orës 09:08, dheu rrëshqiti duke përfshirë disa ndërtesa dhe duke lënë persona të bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende sa persona rezultojnë të zhdukur ose ndodhen nën rrënoja. Grupet e shpëtimit po vijojnë kërkimet në terren, duke përdorur pajisje të posaçme për inspektimin e zonës dhe nxjerrjen e personave që mund të jenë mbuluar nga dheu.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, nëntë persona janë shpëtuar nga rrënojat dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk vlerësohet si e rëndë. Operacioni vazhdon për gjetjen e personave të tjerë që mund të kenë mbetur të izoluar.
Shkaku i saktë i rrëshqitjes nuk është përcaktuar deri tani. Ekspertët pritet të shqyrtojnë terrenin dhe gjendjen gjeologjike të zonës, për të kuptuar nëse ngjarja lidhet me reshje të dendura, dobësim të tokës apo faktorë të tjerë natyrorë.
Rrëshqitjet e dheut ndodhin shpesh në disa rajone malore të Kinës, sidomos në periudhat me reshje të bollshme, kur paqëndrueshmëria e terrenit shton rrezikun e shembjeve dhe dëmeve të konsiderueshme.
Forca të shumta janë dislokuar nga autoritetet kineze në zonën e prekur, ndërsa operacioni i shpëtimit mbetet në zhvillim. Në orët e ardhshme pritet të ketë të dhëna të tjera për numrin e viktimave dhe personave të shpëtuar.
