Të paktën tre persona u vranë pas bombardimeve ruse që goditën qytetin e Zaporizhias në juglindje të Ukrainës.
Të lidhura
None found
Guvernatori rajonal Ivan Fedorov konfirmoi sulmin, duke njoftuar se ushtria ruse përdori tre bomba të drejtuara kundër një zone të banuar. Si pasojë, disa shtëpi u shkatërruan.
Fedorov bëri të ditur se ekipet e emergjencës vijuan punën mes rrënojave të objekteve të goditura. Pamjet e shpërndara nga autoritetet vendore tregojnë banesa në flakë dhe forca kërkim-shpëtimi në vendngjarje.
Në një zhvillim tjetër, Ukraina ka hedhur poshtë deklaratat ruse sipas të cilave Kievi qëndron pas sulmit ku mbeti i vrarë inxhinieri kryesor i centralit bërthamor të Zaporizhias, objekt që aktualisht kontrollohet nga forcat ruse.
Ministria e Jashtme ukrainase i quajti pretendimet e Moskës të pabazuara, duke theksuar se versioni rus nuk është mbështetur nga asnjë burim i pavarur.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), në reagimin e saj, dënoi sulmin ndaj stafit të centralit. Drejtori i përgjithshëm, Rafael Grossi, e konsideroi ngjarjen një akt të papranueshëm kundër një impianti bërthamor dhe një rrezik të madh për sigurinë bërthamore. Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të çdo sulmi ndaj centraleve bërthamore, pranë tyre ose kundër personelit të tyre.
Rosatom, agjencia shtetërore ruse, pretendon se një dron ukrainas goditi një automjet shërbimi në zonën mes centralit bërthamor të Zaporizhias dhe qytetit të Enerhodarit. Sipas saj, nga sulmi u vranë inxhinieri kryesor Alexander Yakovlev dhe shoferi i automjetit. Moska fajëson Ukrainën për incidentin, ndërsa Kievi i kundërshton prerazi këto akuza.
