Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar së fundmi në llogarinë e tij në “X” për deklaratën e ministres serbe lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës”.
Të lidhura
None found
Sipas Ramës, Shqipëria ka shprehur qëndrimin e saj përmes ministrit të Jashtëm, ashtu siç vepron një shtet që respekton veten. Ai shtoi se kush pret që vendi të kthehet në një kor histerik sa herë që “del një çyryk në Beograd e flet përçart”, e ka gabuar adresën.
Më herët, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveqla, kishte kërkuar një angazhim më të madh të Shqipërisë përballë deklaratave që ai i cilësoi fashiste të ministres serbe Snezhana Paunoviq.
Paunoviq kishte thënë se, sikur të ndodhej në vendin e Sllobodan Millosheviqit, “do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998.
Në një deklaratë për Euronews, Sveqla vlerësoi se retorika e Paunoviqit drejtohet kundër shqiptarëve dhe nuk prek vetëm Kosovën. Për këtë arsye, ai tha se pret më tepër reagim nga Shqipëria.
Nuk është e qartë nëse postimi i Ramës lidhet me kërkesën e Sveqlës. Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se kërkesa që çdo person me zë publik, çdo institucion dhe autoritet të reagojë ndaj çdo idiotësie të shqiptuar në serbisht, madje edhe nga persona për ekzistencën e të cilëve familja e tyre mund të mos kishte dijeni para se ta thoshin atë idiotësi, dëshmon mungesë respekti për veten dhe vendin nga ata që “vënë kujën” dhe kërkojnë llogari pse nuk reagon njëri apo tjetri.
