Një deklaratë e fundit e Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, ka shkaktuar një reagim të ashpër nga deputetja britanike Alicia Kearns. Paunoviq kishte thënë se po të ishte në pozitën e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte çuar deri në fund spastrimin etnik të Kosovës gjatë vitit 1998.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në platformën X, Kearns e quajti këtë qëndrim “një njollë për Qeverinë e Serbisë”, duke e cilësuar si mbështetje të turpshme për spastrimin etnik në Kosovë.
Deputetja britanike solli në vëmendje se brezi që sot është në të tridhjetat ruan ende të freskëta kujtimet e mizorive që forcat e regjimit të Millosheviqit ushtruan mbi ta dhe familjarët e tyre. Sipas saj, asnjë lloj justifikimi nuk mund t’i zbehë këto krime dhe aq më pak t’i lartësojë ato.
“Asnjë përpjekje për të justifikuar — e lëre më për të lavdëruar — këto krime nuk mund ta shtyjë botën të harrojë çfarë ndodhi në Kosovë,” theksoi ajo.
Në mbyllje të reagimit të saj, Kearns bëri thirrje që krimet e kryera në Kosovë të mbeten përgjithmonë në kujtesë, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Mos harroni kurrë”.
