Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore në Kiev, si edhe në ceremonitë për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës.
Ai riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, rimëkëmbjen dhe integrimin evropian të Ukrainës.
Të lidhura
None found
“Shqipëria ka qenë e qartë dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Ne qëndrojmë fort në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit tuaj territorial brenda kufijve tuaj të njohur ndërkombëtarisht. Gjithashtu, mbështesim arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, që respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime të popullit ukrainas”, – deklaroi Kreu i Shtetit.
Në samit, Presidenti Begaj paraqiti tre prioritete të Shqipërisë: Forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe përballimin e kërcënimeve hibride, mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor.
Në prani të liderëve të rajonit dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ai kërkoi që mbështetja ndaj Ukrainës të shoqërohet me hapa konkretë.
“Mbështetja jonë, theksoi Presidenti Begaj, duhet të shkojë përtej deklaratave. Ajo duhet të përkthehet në bashkëpunim praktik. Kjo është arsyeja pse Samiti i sotëm ka rëndësi. Ai na lejon të forcojmë koordinimin politik, të thellojmë solidaritetin rajonal dhe të identifikojmë fusha konkrete për veprim të përbashkët”.
Samiti u mbyll me një deklaratë të përbashkët që riafirmon unitetin e vendeve të Evropës Juglindore me Ukrainën dhe vlerëson sigurinë e saj si pjesë të sigurisë së gjithë kontinentit.
Gjatë ceremonive për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës, Presidenti Begaj nderoi qëndresën e popullit ukrainas.
“Sot kremtojmë jo vetëm shekuj historie, besimi dhe identiteti, por edhe shpirtin e pathyeshëm të një populli që, brez pas brezi, ka mbrojtur atdheun, kulturën dhe aspiratat e tij për liri. Shqipëria e ndan këtë krenari me ju dhe qëndron përkrah vendosmërisë tuaj!” – u shpreh Presidenti i Republikës.
Në kuadër të vizitës, Begaj zhvilloi edhe një takim me Presidentin Volodymyr Zelenskyy.
Dy liderët diskutuan forcimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën, thellimin e bashkëpunimit dypalësh në rimëkëmbje, siguri dhe zhvillim ekonomik, si edhe rëndësinë e marrëveshjeve të reja, përfshirë atë për Transportin Ndërkombëtar Rrugor.
Presidenti Begaj rikonfirmoi solidaritetin e plotë të Shqipërisë me Ukrainën dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
