Prokuroria e Posaçme ka përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku në hetimet për skandalin “Bankers”, pasi në dosjen ekzistuese është bashkangjitur edhe një kallëzim i ri penal i depozituar nga avokatja Adriana Kalaja. Në këtë dokument, përveç Ballukës, akuzohen edhe ish-ministrja e Financave Anila Denaj dhe ministri aktual Petrit Malaj.
Sipas pretendimeve të avokates, veprimet dhe mosveprimet e këtyre zyrtarëve të lartë i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 123 milionë eurosh, shumë e cila nuk është rikuperuar ende.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së saj para Prokurorisë së Posaçme, Kalaja bëri me dije se oficeri i policisë gjyqësore e konfirmoi bashkimin e kallëzimit të saj me dosjen kryesore të “Bankers”, ku tashmë po zhvillohen hetimet përkatëse. Avokatja theksoi se çështja duhet të trajtohet duke u mbështetur në prova, në ligj dhe në Kushtetutë, larg çdo ndërhyrjeje politike.
Ajo i akuzon Anila Denajn dhe Petrit Malajn jo thjesht për shpërdorim detyre, por edhe për vepra të tjera penale si ushtrim i ndikimit të paligjshëm, korrupsion pasiv, veprime arbitrare dhe pastrim parash. Në leximin e saj, këto shkelje janë kryer nën ombrellën e një grupi të strukturuar kriminal dhe lidhen drejtpërdrejt me trajtimin e rastit “Bankers”.
Sipas Kallajës, një element që nuk mund të injorohet është trajtimi i ndryshëm i kësaj çështjeje në periudha të ndryshme qeverisëse. Ajo solli si shembull një shkresë të nxjerrë kur në krye të financave ishte Arben Ahmetaj, përmes së cilës urdhërohej që organet përgjegjëse të arkëtonin 123 milionë euro, një veprim që Kalaja e sheh brenda kompetencave ligjore.
Në ndryshim nga kjo, shkresat e firmosura nga Belinda Balluku dhe Anila Denaj, sipas avokates, nuk bazoheshin në kompetencat e tyre dhe dëmtonin rëndë autoritetin e Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ajo pretendon se fillimisht u kërkua pezullimi i gjobës, ndërsa më tej vijuan ndërhyrje të vazhdueshme që sollën një dëm të rëndë për shtetin, dëm ky që e ka origjinën te shitja e ish-rafinerisë së Ballshit dhe mungesa e 21 milionë eurove nga buxheti.
Sa i përket ministrit aktual Petrit Malaj, problemi i ngritur në kallëzim lidhet me momentin e ndërmarrjes së veprimeve. Avokatja pyet nëse vonesat e tij, edhe pse veprimet mund të duken të bazuara, i kanë shtuar dëmin shtetit pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit — vendim që në pjesën më të madhe mbështeti masat e marra nga tatimet dhe AKBN-ja.
Në deklaratën e saj, Kalaja kërkoi që SPAK të veprojë me profesionalizëm dhe nënvizoi se nuk do të tolerojë asnjë zvarritje të hetimeve. Ajo i bëri thirrje edhe prokurorit Dritan Prençi, duke vënë në dukje se çështja tjetër që ai ka në dorë lidhur me Belinda Ballukën nuk ka pasur zhvillime që prej 12 marsit. Sipas saj, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, dosja duhej mbyllur që në prill të 2024-shit, dhe shtroi dyshimin nëse nëpërmjet procedurave SPAK po e amniston të pandehurën.
Avokatja shprehu bindjen se kjo çështje do të zbardhet deri në fund dhe se ajo do të denoncojë çdo shkelje, qoftë nga prokurorë të SPAK-ut apo nga gjyqtarë të GJKKO-së. Në fund, ajo përmendi edhe mediat duke aluduar se, përveç dy televizioneve, një pjesë e tyre po refuzojnë të transmetojnë akuzat kundër Belinda Ballukës, çka sipas saj lidhet me ndikime dhe para të paligjshme.
