Ekzekutivi në detyrë i Kosovës zhvilloi një mbledhje virtuale mbrëmjen e kaluar, ku mori një sërë vendimesh.
Të lidhura
None found
Ndër to, u konfirmua emërimi i zotit Ragmi Dalipi në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Po ashtu, u dha drita jeshile për vendimin përfundimtar të shpronësimit për interes publik të disa pronave të paluajtshme ish-shoqërore në Gjakovë, të cilat janë nën administrimin e AKP-së. Këto prona janë të domosdoshme për zbatimin e dy projekteve të Komunës së Gjakovës.
Konkretisht, bëhet fjalë për marrjen në administrim të ish-objektit të “Bankos”-it për t’i shërbyer administratës komunale në Zonën Gjakovë-Qytet, si dhe për krijimin e një Fushe Futbolli dhe sipërfaqeve rekreative në fshatin Trakaniq e zonat përreth, në Zonën Kadastrale Trakaniq.
Gjatë kësaj mbledhjeje, u rishikua gjithashtu përbërja e një komisioni qeveritar. Sipas ndryshimit të miratuar, znj. Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit do të zëvendësojë znj. Ervina Gashi, po ashtu nga Zyra e Kryeministrit, si zëvendësuese e anëtarit në Komisionin për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme. Ky ndryshim plotëson Vendimin e Qeverisë Nr. 11\08 të datës 03.04.2026.
