Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, theksoi sot angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë për të mbajtur nën kontroll çmimet e derivateve të naftës dhe për të ngritur cilësinë e jetesës së popullatës.
Të lidhura
None found
Gjatë një deklarate për mediat, Mickoski foli për situatën e tensionuar në Gjirin Persik dhe marrëdhëniet e acaruara mes SHBA-së dhe Iranit, duke vënë në dukje se Qeveria po e monitoron me kujdes këtë dinamikë, sepse ajo mund të sjellë pasoja edhe në bursat ndërkombëtare të naftës, e rrjedhimisht edhe në tregun vendas të karburanteve.
Ai bëri të ditur se gjendja e krizës vijon deri më 20 korrik dhe shprehu bindjen se tashmë janë plotësuar parakushtet për një lehtësim të ri fiskal. “Vlerësoj se nga dita e hënë do të kemi prapë një reduktim të akcizave për benzinën pa plumb dhe naftën”, u shpreh Mickoski.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit sqaroi se përpara se të merret vendimi definitiv, është e nevojshme që tregjet të mbyllen dhe të bëhet një vlerësim i ecurisë së çmimeve gjatë dy javëve të para të kësaj periudhe.
Mickoski rikonfirmoi përkushtimin e kabinetit të tij ndaj kësaj linje veprimi, duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut ka sot çmimet më të favorshme të karburanteve në gjithë rajonin. Ai hodhi poshtë krahasimet me fuqinë blerëse të vendeve të tjera, duke argumentuar se vlera e naftës formësohet në bursat globale dhe si Maqedonia, ashtu edhe Gjermania, furnizohen nga i njëjti treg, pasi asnjëri vend nuk zotëron rezerva nafte për të shfrytëzuar direkt.
Duke bërë një pasqyrë të situatës në vendet fqinje, kryeministri theksoi dallimet e mëdha në kosto. Ai tregoi se në Shqipëri çmimet janë rreth 70 për qind më të larta, në Greqi gati sa dyfishi, ndërsa në Serbi qytetarët paguajnë rreth 50 për qind më tepër për karburantet. “Të gjitha këto janë fryt i politikave të Qeverisë sonë, të cilat synojnë një standard më dinjitoz jetese për të gjithë”, përmbylli Mickoski./INA/
