Hansi Flick është bërë arkitekti kryesor i strategjisë sportive të Barcelonës në këtë sesion transferimesh.
Të lidhura
None found
Tekniku gjerman, që po përgatitet për vitin e tretë në krye të ekipit katalanas, ka marrë tashmë një peshë vendimtare në proceset e klubit, duke qenë ai që përzgjedh tipologjinë e lojtarëve që do të veshin fanellën blaugrana.
Bashkëpunimi i fortë me drejtorin sportiv Deco mbetet një nga gurët e themelit të projektit, por dinamika e pushtetit ka ndryshuar dukshëm.
Nëse më parë lëvizjet si afrimet e Dani Olmos, Joan Garcias, Marcus Rashfordit, Roony Bardghji-t apo rikthimi i Joao Cancelos vinin si propozime të drejtorisë sportive me aprovimin e Flickut, tani rolet janë përmbysur.
Pas fitimit të dy kampionateve rresht në La Liga, presidenti Joan Laporta dhe bordi i kanë dhënë trajnerit autoritetin për të drejtuar politikën e merkatos, një besim që rrallë i është akorduar ndonjë trajneri në historinë e afërt të klubit.
Shembulli i parë i këtij ndikimi të ri ishte reparti sulmues. Flick refuzoi kategorikisht blerjen e Rashfordit, i bindur se ekipi kishte nevojë për një profil krejt tjetër në krahun e majtë.
Objektivi i tij kryesor ishte Anthony Gordon, një sulmues anglez i karakterizuar nga shpejtësia, presioni asfiksues dhe leximi i hapësirave. Këto atribute përputheshin në mënyrë perfekte me filozofinë e lojës së trajnerit dhe klubi e mbështeti pa rezerva kërkesën, duke e bërë Gordonin një përforcim prioritar të verës.
Një tjetër kërkesë eksplicite e teknikut ishte Karim Adeyemi. Me të cilin ka punuar edhe te kombëtarja gjermane, Adeyemi shihet nga Flick si një armë ideale për stilin e Barcelonës.
Shpejtësia e tij prej 36.7 km/h dhe polivalenca në fazën ofensive i japin skuadrës një dimension të ri, dhe pikërisht për këtë Flick insistoi personalisht për afrimin e tij, ndërsa Deco u mor me bisedimet me Borussia Dortmundin.
Përveç futbollistëve, trajneri gjerman ka ndërhyrë edhe në përbërjen e stafit teknik. I shqetësuar nga dëmtimet e shpeshta muskulore të sezonit të kaluar, ai kërkoi dhe solli në ekip përgatitësin fizik Yann-Benjamin Kugel, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në përfaqësuesen gjermane.
Flick është i bindur se ky riorganizim do të rrisë ritmin dhe qëndrueshmërinë e lojtarëve në harkun e një sezoni të tërë.
Autoriteti i tij i ri u duk edhe në vendimin për të ndalur operacionin për mbrojtësin italian Alessandro Bastoni. Megjithëse emri i tij monitorohej nga drejtuesit, Flick e vlerësoi si jo prioritar për nevojat imediate të skuadrës dhe transferimi u bllokua menjëherë.
Kështu, edhe pse Deco vijon të jetë një figurë kyçe në zhvillimin e negociatave, është Hansi Flick ai që përcakton tani identitetin e lojtarëve që do të përforcojnë Barcelonën.
Besimi i ndërtuar mbi trofetë e fituar në kampionat i ka dhënë trajnerit gjerman një influencë që premton të jetë shtylla e projektit sportiv për vitet në vazhdim.
