Sherif Kallaku i dha fund qëndrimit njëvjeçar te Vllaznia, duke kaluar këtë javë te rivalja direkte në Superiore, Teuta. Mesfushori 28-vjeçar zgjodhi rrjetet sociale për të shprehur falënderimet e tij për klubin shkodran, shokët e skuadrës dhe mbështetësit.
Në postimin e tij, ai theksoi se ndarja me një institucion si Vllaznia është gjithmonë e rëndë, sidomos pas një viti që e cilësoi si ndër më të bukurit e karrierës. Ai shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëlojtarët, për përkushtimin dhe sakrificat e ndara së bashku, si në seanca stërvitore ashtu edhe në jetën e përditshme jashtë fushës.
Të lidhura
None found
Një vlerësim i veçantë shkoi për tifozërinë, të cilët i qëndruan pranë ekipit në çdo moment, pavarësisht rezultateve. Kallaku përmendi në mënyrë specifike grupin e tifozëve “vllaznit05”, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme.
Duke prekur arsyet e largimit, ai la të kuptohet se pasioni për futbollin nuk mjafton gjithmonë. Theksoi se çdo lojtar ka nevojë për një ambient të qetë dhe kushte dinjitoze për të shprehur potencialin e tij të plotë. Sipas tij, kur këto elemente thelbësore mungojnë, futbollisti detyrohet të marrë rrugë që, në zemër të zemrës, nuk do t’i kishte zgjedhur në një kontekst tjetër. Mesazhi u mbyll me një urim për suksese për ish-klubin e tij.
