Forma e jashtëzakonshme e Erling Haalandit në Kampionatin Botëror 2026 ka ndezur një valë entuziazmi në Peru, ku qindra familje kanë zgjedhur t’u vënë foshnjave të tyre emrin e sulmuesit norvegjez.
Të lidhura
None found
Të dhënat nga Regjistri Kombëtar i Identifikimit dhe Gjendjes Civile të Perusë (Reniec) tregojnë se 468 të porsalindur janë regjistruar me mbiemrin “Haaland”, ndërsa 91 të tjerë mbajnë emrin e plotë “Erling Haaland”.
Ivan Torres, zëdhënës i Reniec, theksoi se figurat e mëdha të futbollit mbeten një burim i fuqishëm frymëzimi për shumë prindër peruanë. “Haalandi është edhe peruan. Yjet e futbollit na motivojnë t’u japim fëmijëve emra të spikatur dhe të veçantë”, u shpreh ai.
Torres shtoi se pjesa dërrmuese e këtyre regjistrimeve janë kryer pas nisjes së turneut botëror, veçanërisht pasi Norvegjia arriti për herë të parë në historinë e saj një çerekfinale.
Sulmuesi 25-vjeçar i Manchester Cityt, i mbiquajtur “Androidi”, ka lënë gjurmë të thella në këtë kompeticion. Dy golat e tij në sfidën kundër Brazilit i dhanë skuadrës nordike biletën historike për në çerekfinale.
Ky trend nuk është i panjohur në vendin e Amerikës së Jugut. Sipas statistikave zyrtare, 3.402 persona quhen “Messi”, prej tyre 292 janë regjistruar si “Lionel Messi”. Po ashtu, 1.185 mbajnë emrin “Cristiano Ronaldo”, 1.241 “Yamal”, 238 “Mbappe”, dhe plot 33.809 janë emërtuar “Neymar”.
“Nuk kemi si t’i ndalojmë qytetarët të përdorin këta emra”, përfundoi Torres.
Nëse Norvegjia avancon më tej në Botëror, “Haalandmania” pritet të marrë përmasa edhe më të gjera. Aktualisht, Haalandi numëron shtatë gola në turne, vetëm një më pak se Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, të cilët udhëheqin listën e realizatorëve me nga tetë gola secili.
