Neymar në rrezik për një pezullim të gjatë pas shkeljes së “rregullit Vinicius Junior

Neymari është dërguar përpara Gjykatës së Lartë të Drejtësisë Sportive (STJD) në Brazil dhe mund të përballet me masa të rënda disiplinore për shkeljen e të ashtuquajturit “rregulli Vinicius Junior”.

Futbollisti i Santosit do të dalë para organit disiplinor të mërkurën, më 28 tetor, për të dhënë shpjegime mbi incidentin e regjistruar të shtunën në përballjen me Bahian, të vlefshme për kampionatin brazilian.

Të lidhura

None found

Përplasja ndodhi gjatë pushimit të ndeshjes, kur sulmuesi brazilian u përfshi në një debat me Rodrigo Nestor.

Neymari e mbuloi gojën me dorë gjatë konfliktit, por pas verifikimit të pamjeve nga sistemi VAR, arbitri Savio Pereira Sampaio i tregoi kartonin e kuq.

Prokuroria e ka referuar rastin te neni 191, që parashikon një gjobë nga 100 deri në 100 mijë realë brazilianë për shkeljen e rregullave të një organizate sportive.

Gjithashtu, ndaj futbollistit është kërkuar zbatimi i nenit 258 të kodit disiplinor, i cili lidhet me shkeljet e disiplinës dhe etikës sportive.

Sipas këtij neni, dënimi mund të jetë pezullim nga një deri në gjashtë ndeshje.

Ndërkohë, Neymar nuk do të jetë në dispozicion të Santosit për sfidën e ardhshme ndaj Bragantinos, e planifikuar të hënën. Ai e humbet këtë takim pasi kundër Bahias mori kartonin e tretë të verdhë në kampionat.


Shtuar më 27.10.2026 12:00