Mospjesëmarrja e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi u bë shkak për debat mes pozitës dhe opozitës. Deputetët patën mospajtime rreth rendit të ditës dhe kërkesës së opozitës për të shqyrtuar gjendjen në institucion, pas shqetësimeve të ngritura për mënyrën si funksionon ai.
Arben Mustafa, kryetar i komisionit, tha se Binaku-Isufi fillimisht kishte konfirmuar se do të merrte pjesë, por më pas kishte njoftuar se nuk mund të paraqitej. Sipas tij, ajo nuk kishte dhënë ndonjë arsye konkrete.
Të lidhura
None found
Mustafa bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit komisionit i kishin mbërritur raporte nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, ku, sipas tij, përshkruhej një situatë shqetësuese.
Ai pretendoi se, që nga maji i vitit 2025, Binaku-Isufi nuk kishte thirrur asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, edhe pse ky organ, sipas tij, kishte numrin e nevojshëm të anëtarëve për të zhvilluar mbledhje.
Mustafa: Situata në Autoritetin e Konkurrencës ngre shqetësime serioze
“Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret, njofton se nuk mund të vijë për raportim në komision. Sidoqoftë, duke pasur parasysh raportet që ne si komision kemi pranuar gjatë këtyre ditëve nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me situatën shqetësuese që po mbizotëron në këtë institucion… Zonja Neime Binaku-Isufi, që nga muaji maj i vitit 2025, nuk ka ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, që është organ kolegjial i cili menaxhon me punën e autoritetit. Pavarësisht se komisioni ka kuorumin e mjaftueshëm me anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Pra, ka kuorum, por mbledhjet nuk ftohen diku për një vit e gjysmë”, theksoi ai.
Gjatë debatit, Mustafa u përfshi në një shkëmbim të tensionuar me deputetë të mazhorancës dhe u kërkoi të mos ia ndërprisnin fjalën.
Përplasje verbale gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi
“Mos më ndërpritni, e merr fjalën. Jemi në rend të ditës dhe, nëse pajtohemi ta mbajmë këtë temë si pikë të rendit të ditës, atëherë e ndërpres diskutimin. A jeni për ngut? Ju mos më ndërpreni dhe pastaj e merrni fjalën. Pse po ju pengon? Unë e di çka bëj”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, kërkoi që komisioni t’i përmbahej rregullave të veta të punës. Ai u shpreh se çështjet e paraqitura në materialet e Autoritetit të Konkurrencës ishin serioze dhe duhej të diskutoheshin. Megjithatë, tha se kryetarja kishte njoftuar se nuk mund të ishte e pranishme për arsye objektive.
Kelmendi për mungesën e kryetares: Ka njoftuar se nuk mund të marrë pjesë për arsye objektive
“Duhet të krijojmë një kulturë të punës në komision dhe të mos fillojmë elaborimin e pikave nëse jemi apo nuk jemi dakord që të mbahen në rendin e ditës. Patjetër që problemet në Autoritetin e Konkurrencës, në materialet që i kanë dërguar, janë serioze dhe duhet të trajtohen nga komisioni. E kam parë emailin që ka dërguar dhe ajo thotë për arsye objektive. Pra, ka qenë e pamundur që ajo të vijë dhe nuk dua ta arsyetoj, dhe nuk kemi çka të fshehim”, shtoi ai.
Ermal Sadiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se shqyrtimi i problemeve nuk duhej të ndalej për shkak të mungesës së Binaku-Isufit. Sipas tij, komisioni mund ta zhvillonte diskutimin edhe pa praninë e saj.
Sadiku: Mungesa e Binaku-Isufit nuk duhet të ndalë diskutimin
“Është mirë të diskutohet një temë pa marrë parasysh a është personi prezent apo nuk është. Kjo nuk e ndalon bisedën në këtë komision, mosprania e saj. Ajo është aty përmes Kuvendit dhe ne jemi këtu për ta mbikëqyrur punën. Biseda për kaq shumë skandale që kishin ndodhur së dy vjetësh është e shëndetshme për shtetin”, shtoi ai.
Edhe Burim Ramadani, deputet i Aleancës, kërkoi që çështja të mos hiqej nga rendi i ditës. Ai rikujtoi se Kuvendi ka rol mbikëqyrës ndaj institucioneve dhe se janë këto të fundit që duhet t’i raportojnë organit parlamentar.
Ramadani: Institucionet duhet t’i raportojnë Kuvendit
“Ne jo vetëm që duhet ta mbajmë si pikë të rendit të ditës, por ne duhet t’i bëjmë nja tri veprime të domosdoshme. Së pari, më lejoni t’ju kujtoj se ne jemi punëdhënësi i saj. Kuvendi është punëdhënës dhe jo anasjelltas. Ne nuk u raportojmë agjencive, ato duhet të na raportojnë neve. Si e tillë, kushdo që është mësuar se s’ka Kuvend dhe s’ka mbikëqyrje, duhet të mësohet tash se ka”, deklaroi Ramadani.
Ilir Kërçeli i LVV-së, duke folur për mosmbledhjen e Komisionit të Konkurrencës, deklaroi se kjo kishte ndodhur pasi ishte kërkuar përgjigje për nënkryetaren. Ai pretendoi se nënkryetarja ndodhej në konflikt interesi.
Kërçeli opozitës: A po mbroni interesa biznesore?
“Ne jemi të zgjedhur të popullit. Nuk mund ta trajtojmë askënd sikur të ishte prokurori i Kosovës. Nuk mund t’u tregojmë asnjë kryeshefi dhe zyrtari të lartë se si duhet të sillen në institucione. Ata janë të pjekur, si nga mosha, ashtu edhe profesionalisht, që t’i dinë përgjegjësitë e tyre. Nuk mund të themi: ne po e marrim një orë pauzë dhe po e ftojmë nënkryetaren. Nënkryetarja nuk është duke u sjellë rreth Kuvendit se kur po e ftojmë ne… Tregojuni mediave se po doni vetëm të bëni hajgare me popull. Mos, se nuk bëhet kështu. Komisioni nuk është mbledhur sepse ka kërkuar përgjigje, se ajo nënkryetare që po doni ta ftoni ka konflikt interesi. Nëse është dikush që dëshiron të mbrojë interesa biznesore, krejt ditën më keni këtu dhe thirrni këdo”, shtoi deputeti Kërçeli.
Mustafa iu përgjigj Kërçelit duke thënë se Gjykata Themelore e kishte rrëzuar pretendimin se nënkryetarja ishte në konflikt interesi.
Mustafa: Gjykata Themelore e ka rrëzuar pretendimin për konflikt interesi
“Pretendimin për konflikt interesi e ka rrëzuar Gjykata Themelore dhe ajo kryetare nuk mundet në mënyrë arbitrare të vendosë se kur thirret dhe kur nuk thirret. Nëse ka konflikt interesi, janë organet që vendosin”, theksoi ai.
Pas diskutimeve dhe mospajtimeve, anëtarët e komisionit u pajtuan që Neime Binaku-Isufi të ftohet sërish javën e ardhshme. Ajo do të kërkohet të raportojë para Komisionit për Ekonomi për gjendjen dhe funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.




