Pas vizitës në Shqipëri dhe pjesëmarrjes në protestën antiqeveritare që po zhvillohet prej 42 ditësh në Tiranë, eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar duke ngritur shqetësime për mjedisin dhe respektimin e standardeve të Bashkimit Evropian. Ajo u shpreh edhe pas mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, ku tha se kishte ndarë përshtypjet e saj për situatën në vend.
Sipas Guardës, gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri ajo ka dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve dhe ka parë, siç tha ajo, një përplasje të hapur mes interesave ekonomike dhe mbrojtjes së natyrës. Ajo veçoi zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë si një rast veçanërisht të rëndë, por theksoi se problemi nuk kufizohet vetëm te ai.
Të lidhura
None found
“Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari”, u shpreh ajo.
Guarda tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndërtohet mbi respektimin e vlerave evropiane, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen reale të komunitetit në vendimmarrje. Ajo shtoi se procesi duhet të respektojë edhe parimin e “moskthimit pas” në politikat mjedisore, sipas të cilit standardet e mbrojtjes së natyrës nuk duhet të zbehen me kalimin e kohës.
“Ky (dhe jo vetëm ky) është ai që pashë në Shqipëri javën e kaluar.
E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.
Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.
Zona e mbrojtur Vjosa–Narta është rasti shumë i rëndë mbi të cilin u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat evropiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “moskthimit pas” në mbrojtjen e mjedisit (non-regression), që nënkupton se standardet e mbrojtjes së mjedisit nuk duhet të dobësohen.
Do të vazhdoj ta ndjek këtë proces dhe t’jua tregoj zhvillimet edhe në vijim”, deklaron ajo.
