Brian Potter, mes emrave më të suksesshëm britanikë në prodhim dhe kompozim muzikor, është shuar në moshën 87-vjeçare.
Vajza e tij e konfirmoi lajmin për Billboard, duke sqaruar se prej vitesh ai vuante nga sëmundja e Alzheimerit.
Të lidhura
None found
Potter mbylli sytë më 30 qershor në një azil pleqsh në Granada Hills, Los Angeles, duke lënë pas një trashëgimi të spikatur në industrinë e muzikës.
Së bashku me Dennis Lambert, partnerin e tij amerikan në krijimin e këngëve, ai firmosi një varg hitesh që lanë gjurmë në pop, soul, country dhe soft rock gjatë viteve 1970. Mes këtyre këngëve përmenden “Rhinestone Cowboy” e Glen Campbell, që arriti vendin e parë në SHBA në vitin 1975, “It Only Takes a Minute”, që fillimisht u kthye në hit nga Tavares dhe më pas u soll sërish me sukses nga Take That, “Baby Come Back” e grupit Player, si edhe “Ain’t No Woman (Like the One I’ve Got)”, një ndër këngët më të suksesshme të Four Tops.
I lindur dhe i rritur në Essex të Anglisë, Brian Potter kreu studimet për muzikë dhe në fillimet e tij u bë i njohur si baterist.
Arritjen e parë të rëndësishme si tekstshkrues e pati në vitin 1965, kur bashkëpunoi në shkrimin e hitit “Whatcha Gonna Do About It” të grupit Small Faces.
Më pas, gjatë një vizite të Dennis Lambert në Londër, ai u njoh me të dhe më vonë u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, ku të dy ndërtuan një nga bashkëpunimet më të suksesshme në muzikën amerikane.
Në vitin 1971, Potter arriti një tjetër sukses të madh me “Don’t Pull Your Love”, kënduar nga Hamilton, Joe Frank & Reynolds, e cila u ngjit në vendin e katërt në SHBA dhe më vonë u interpretua edhe nga Glen Campbell.
Roli i tij rezultoi vendimtar edhe për rikthimin e Four Tops në skenën muzikore. Në vitin 1973, ai dhe Lambert e ndihmuan grupin të ndryshonte kah artistik pas largimit nga Motown Records, duke prodhuar “Ain’t No Woman (Like the One I’ve Got)”, këngë që i riktheu në pesëshen më të mirë të klasifikimeve amerikane për herë të parë që nga viti 1967.
Gjatë karrierës, Potter bashkëpunoi edhe me Universal Studios në projekte si “Rockin’ Graveyard Revue” dhe “The Blues Brothers Show”. Në fund të viteve ’70 ai prodhoi albumin “Baby Come Back” të grupit Player, që qëndroi tre javë në vendin e parë në SHBA, si dhe albumin “Inner Secrets” të Santana-s.
Me largimin e Brian Potter nga jeta, industria muzikore humbet një prej autorëve dhe producentëve që la gjurmë të thella në historinë e muzikës moderne.
