Pasagjerët e një fluturimi të mëngjesit të Ryanair përjetuan çaste ankthi në avionin që ishte nisur nga aeroporti “Maqedonia” i Selanikut me drejtim Mynihun.
Të lidhura
None found
Burime paraprake bëjnë me dije se vetëm pak minuta pas ngritjes, në një lartësi rreth 6.000–6.500 këmbë, u konstatua një problem teknik në njërin prej dy motorëve të avionit.
Përballë situatës, ekuipazhi vuri menjëherë në zbatim procedurat e emergjencës, ndërsa piloti mori vendimin të rikthehej në aeroportin e Selanikut. Avioni arriti të ulej aty në mënyrë të sigurt.
Ndërkohë, sipas dëshmive të pasagjerëve, gjatë fluturimit u dëgjua një zhurmë e fortë dhe një dritare e avionit pësoi dëmtime, çka solli dekompresion në kabinë. Si pasojë, maskat e oksigjenit u aktivizuan automatikisht, ndërsa udhëtarët i dhanë ndihmë një pasagjeri që ishte ulur pranë dritares së dëmtuar.
Menjëherë pas uljes, një ambulancë e EKAB-it (ndihma e shpejtë) mori të lënduarin dhe e dërgoi në spitalin AXEPA të Selanikut. Ai është një shtetas serb, 61 vjeç, që kishte pësuar dëmtim në qafë.
Më pas, pasagjerët vijuan udhëtimin drejt Mynihut me një avion tjetër, ndërsa kompania ajrore dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
