Olivia dhe Muhammad vijojnë të kryesojnë renditjen e emrave më të përdorur për foshnjat e lindura në Angli dhe Uells gjatë vitit 2025.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS), Olivia renditet në krye të listës për vajzat për të dhjetin vit me radhë, ndërsa Muhammad mbetet emri më popullor për djemtë për të tretin vit rresht.
Gjatë vitit 2025, emri Olivia iu vendos 2,386 vajzave të porsalindura. Pas tij vjen Lily me 2,249 regjistrime, ndërsa Amelia zbriti në vendin e tretë me 2,153 regjistrime.
Në mesin e 10 emrave më të përdorur për vajza përfshihen edhe Isla, Florence, Freya, Poppy, Elsie, Ivy dhe Isabella, e cila futet për herë të parë në këtë dhjetëshe.

Tek djemtë, Muhammad iu vendos 5,957 foshnjave. Noah mban vendin e dytë me 4,075 regjistrime, ndërsa Leo ngjitet në vendin e tretë me 3,278.
Dhjetëshja e parë për djemtë plotësohet edhe nga emrat Luca, Arthur, Oliver, George, Oscar, Theodore dhe Freddie.
ONS bën të ditur se edhe forma të tjera të emrit Muhammad vazhdojnë të përdoren gjerësisht. Varianti Mohammed u rendit i 20-ti me 1,712 regjistrime, ndërsa Mohammad u pozicionua në vendin e 55-të me 895 regjistrime.
Lista e publikuar është hartuar mbi bazën e të dhënave zyrtare të regjistrimit të lindjeve për vitin 2025.
Mes emrave që hynë për herë të parë në listën e 100 më të përdorurve për vajza janë Eliana, Gracie, Alba dhe Lilah. Për djemtë, për herë të parë në këtë renditje u përfshinë Carter, Ruben, Stanley dhe Vincent.
Nga ana tjetër, disa emra ranë nga lista e 100 më të përdorurve. Për vajzat nuk janë më pjesë e saj Ellie, Amelie dhe Jessica, ndërsa për djemtë dolën Grayson, Brody dhe Bodhi.
Të dhënat tregojnë po ashtu se Ada ishte emri me rritjen më të madhe për vajzat, duke u ngjitur me 54 vende dhe duke arritur në pozicionin e 45-të. Për djemtë, ngjitjen më të madhe e shënoi Roman, i cili u rrit me 33 vende dhe u rendit në vendin e 27-të.
ONS publikoi edhe statistikat mujore për vitin. Për vajzat, Olivia ishte emri më i përdorur në janar, shkurt, mars, prill, maj, qershor, tetor dhe nëntor. Në korrik në krye doli Isla, në gusht Lily, në shtator Amelia, ndërsa në dhjetor Florence.
Për djemtë, Muhammad rezultoi emri më i përdorur në secilin muaj të vitit 2025.
