Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka bërë thirrje që institucionet e vendit të krijohen në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pas një pyetjeje drejtuar të Ngarkuares me Punë, Anu Prattipati, mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në përgjigjen e zëdhënësit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë thuhet se “Udhëheqja politike e Kosovës duhet të punojë së bashku për të formuar institucione në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Sipas ambasadës, qytetarët e Kosovës presin që drejtuesit politikë të veprojnë në dobinë më të madhe të shtetit.
“Populli i Kosovës pret që udhëheqësit e tyre të përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, ka thënë zëdhënësi.
Ambasada amerikane ka theksuar gjithashtu se ngërçi politik po i kushton Kosovës me humbje mundësish.
“Ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqja të përparësojë progresin dhe stabilitetin në dobi të të gjithë qytetarëve”, vlerësojnë nga ambasada amerikane.
