Në një intervistë për mediat turke, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi përfundimet e Samitit të NATO-s, raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë, zhvillimet në Ballkan, si edhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe në turizëm.
Kur u ndal te samiti, Rama theksoi se ky takim dëshmoi qartë vendosmërinë e vendeve evropiane të aleancës për të forcuar kapacitetet e tyre ushtarake dhe për t’iu përshtatur sfidave të sigurisë.
Të lidhura
None found
“Nuk besoj se kishte një vendim të vetëm që mund të quhej më i rëndësishmi. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ngritur një strukturë shumë të fuqishme ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e veta për t’u përballur me kërcënimet”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë vlerësoi edhe mënyrën se si u organizua samiti, duke nënvizuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar nga Turqia lanë përshtypje të mira te të gjithë pjesëmarrësit.
Duke folur për marrëdhënien me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e përshkroi atë si një mik të afërt dhe si partner strategjik të Shqipërisë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i afërt dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta ngritur partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në nivel strategjik”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Erdogan ka treguar angazhim për stabilitetin e Ballkanit dhe ka një rol të rëndësishëm në nismat që synojnë paqen në rajon.
Në këtë intervistë, Rama u ndal edhe te diskutimet për projektin turistik në zonën e Zvernecit, duke sqaruar se ende nuk ka një projekt përfundimtar.
Ai shtoi se vërejtjet për ndikimin në mjedis janë të mirëpritura, por vendimi final do të mbështetet te vlerësimet e ekspertëve dhe jo te përplasjet politike.
