Një dhuratë e pazakonshme e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për krerët e NATO-s ka nxitur debat dhe ka sjellë edhe pengesa praktike pas mbylljes së samitit të Aleancës në Ankara.
Të lidhura
None found
Në përfundim të takimit, Erdogan u dha të gjithë drejtuesve të shteteve dhe qeverive të NATO-s nga një revole e gdhendur e modelit “Gumusay 357 Magnum”, bashkë me municion të vërtetë, çka e bëri dhuratën më shumë se sa thjesht simbolike.

Mediat ndërkombëtare raportuan se arma ishte paketuar në një kuti druri, ku ishin vendosur flamuri i Turqisë, logoja e NATO-s dhe një pllakë shpjeguese në turqisht dhe anglisht. Secila revole mbante të gdhendur emrin e liderit përkatës që e mori.
Qëllimi i kësaj dhurate ishte promovimi i industrisë turke të mbrojtjes, e cila në vitet e fundit është kthyer në një nga degët më të rëndësishme të eksporteve të vendit.

Megjithatë, prania e një revoljeje të shoqëruar me fishekë ka hapur probleme konkrete për disa delegacione, sidomos sa i takon transportit, procedurave doganore dhe mënyrës së ruajtjes së armës.
Kryeministri belg Bart De Ëever tha se mbeti i habitur kur, pas kthimit në Belgjikë, gjeti armën dhe municionin në bagazhin e tij. Më pas, ai ia dorëzoi revolen policisë së Aeroportit të Brukselit, ku ajo është vendosur në një ambient të sigurt.
Në Poloni, arma e presidentit Karol Naërocki ndodhet ende në pritje të përfundimit të formaliteteve doganore në aeroportin e Varshavës, përpara se të transferohet në një vend të sigurt. Një këshilltar i presidentit e komentoi situatën me ironi, duke thënë se “sigurisht që askush nuk do të qëllojë me të”.

Ndërkohë, zyrat e kryeministrave të Holandës dhe Suedisë bënë të ditur se armët gjenden ende në ambasadat e tyre në Ankara, në pritje të dokumenteve të nevojshme për importim. Në rastin e Holandës, revolja pritet të çaktivizohet para se të dërgohet në vend.
Sipas raportimeve, kryeministri britanik Keir Starmer nuk mori vetëm revolen, por edhe një komplet për mirëmbajtjen e saj si dhe 500 fishekë.
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka vendosur armën mes dhuratave zyrtare shtetërore në Palazzo Chigi, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka njoftuar se synon ta dhurojë revolen në një muze ushtarak.
Modeli “Gumusay 357 Magnum”, i prodhuar nga kompania shtetërore turke MKE gjatë viteve 1990, vlerësohet si një armë e rrallë për koleksionistët. Sipas të dhënave të Small Arms Survey, për periudhën 2019–2024, Turqia renditej si eksportuesi i tretë më i madh në botë i armëve të vogla, pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.
