Një incident që shkaktoi shqetësim ndodhi në Nju Jork, pasi një burrë u ngjit mbi kabllot e Urës historike të Bruklinit, çka detyroi autoritetet të ndërhynin dhe të mbyllnin përkohësisht trafikun në njërin krah të urës.
Ngjarja u regjistrua të mërkurën pasdite, pak para orës 19:40 sipas orës lokale, kur shoferë dhe kalimtarë vunë re burrin teksa lëvizte mbi kabllot e çelikut pranë njërës prej shtyllave karakteristike të Urës së Bruklinit.
Të lidhura
None found
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ai shihet duke ecur dhe duke ruajtur ekuilibrin në një lartësi të madhe, ndërsa në zonë mbërritën forca të shumta policore dhe ekipet e emergjencës.
Për ta zbritur u zhvillua një operacion që zgjati disa orë, ndërkohë që trafiku në korsinë lindore të urës, në drejtim të Bruklinit, u pezullua gjatë orës së pikut.
Në fund, oficerët e Njësisë Speciale të Emergjencave arritën t’i afroheshin burrit, ta transportonin në një vend të sigurt dhe më pas ai u vu në paraburgim.
Pas disa orësh ndërhyrjeje, ai u zbrit pa probleme dhe u ndalua nga autoritetet.
Sipas mediave amerikane, dyshohet se burri kishte probleme të shëndetit mendor.
Rreth orës 22:00, pasi operacioni u mbyll nga autoritetet, qarkullimi në urë iu rikthye normalitetit.
Një episod i ngjashëm nuk është i pari në Urën e Bruklinit. Në vitin 2022, një person tjetër u ngjit mbi kabllot e urës, duke sjellë vonesa të gjata në trafik dhe një angazhim të madh të ekipeve të shpëtimit.
