BERAT – Policia e Beratit ka vënë në zbatim 11 masa sigurie si pjesë e një operacioni të ndërmarrë nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Autoritetet bëjnë me dije se 4 prej këtyre masave janë “Arrest në shtëpi”, ndërsa për 7 persona të tjerë është caktuar “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Të lidhura
None found
Hetimet kanë zbuluar se në gjashtë subjekte të transfertave të parave, të vendosura në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, të administruara ose me të punësuar personat nën hetim, kryhej aktivitet i këmbimit valutor pa licencën përkatëse, në shkelje të legjislacionit në fuqi.
Gjatë kontrolleve të kryera në këto subjekte, policia sekuestroi si prova materiale 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë, 110 franga zvicerane, si edhe 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe 1 laptop.
Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme dhe të përgjegjësive penale të personave të përfshirë.
